|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Komisioni i Venecias publikon njoftimin lidhur me Projektligjin e KPK-së

Në njoftimin që mban datën 21 gusht 2023, Komisioni i Venecias ka bërë të ditur se ka përgatitur draftin e opinionit për Projektligjin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Referuar këtij njoftimi, “Drejtësia Sot” raporton se draft-opinioni i këtij Projektligji është përgatitur në bazë të kërkesës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në kërkesën e datës 28 korrik 2023, Kryeparlamentari Konjufca kishte kërkuar mendimin e Komisionit të Venecias për versionin e ri të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në,  duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial.

Sipas njoftimit të Venecias, drafti i opinionit për këtë Projektligj do të dorëzohet për miratim në seancën e 136-të plenare të Komisionit, që është planifikuar të mbahet me 6 dhe 7 tetor 2023.

Kujtojmë Projektligji i parë u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, e cila në mars 2023, me Aktgjykimin KO 100/22 & KO 101/22 vendosi që ky Projektligj të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij për shkak se ndryshimet e propozuara u konstatuan se bien ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës më 12 korrik 2023, ka miratuar Projektligjin e ri, me të cilin thuhet se janë adresuar konstatimet nga aktgjykimi i Kushtetueses dhe rekomandimet e dy opinioneve paraprake të Komisionit të Venecias.

Në fund të muajit korrik, Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media bëri të ditur se kryetari Glauk Konjufca e ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Dërgimi i këtij projektligji në Venecia u bë pasi i njëjti ishte proceduar në Kuvend nga ana e Qeverisë.

Sikurse në Projektligjin e parë, edhe në Projektligjin e ri është përcaktuar që KPK përbëhet nga 7 anëtarë (4 prokurorë dhe 3 jo-prokurorë), përbërje kjo që nuk ishte kontestuar nga Kushtetuesja. Por, kjo përbërje pritet që të zbatohet në praktikë nga 11 janar 2026, datë kjo në të cilën i përfundon mandati ligjor anëtarit të fundit të zgjedhur të KPK-së në përbërjen e tanishme prej 13 anëtarëve.

Kësisoj, Projektligji parasheh që deri me datë 11 janar të vitit 2026, anëtarë të Këshillit, përveç atyre që janë anëtarë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, janë edhe tetë anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, duke bërë që Këshilli deri në fillim të 2026-tës të ketë 19 anëtarë.

Sa i përket përbërjes së re të KPK-së parashihet që katër anëtarët prokurorë të jenë: Kryeprokurori i Shtetit (ex officio), një prokuror nga Prokuroria e Apelit apo nga Prokuroria Speciale dhe dy prokurorë nga radhët e Prokurorive Themelore. Kurse sa i përket tre anëtarëve jo-prokurorë parashihet që një nga ta zgjedhet në bazë të dy nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, në përputhje me kushtet ligjore.

Projektligji i ri gjithashtu parasheh që kuorumi i Këshillit me përbërjen me shtatë anëtarësh formohet me pesë anëtarë për mbajtjen e mbledhjeve dhe për rastet disiplinore, ndërsa në përbërjen prej 19 anëtarësh ky kuorum të jetë prej 12 anëtarëve./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter