|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Prizren- Mbahet seanca e ish drejtorëve të Komunës të akuzuar për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prizren më datë 28 gusht është mbajtur seanca pas ndryshimit të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, ku kanë dhënë mbrojtjen të akuzuarit Levent Kasëmi dhe Fejzë Kabashi,  me të cilin ndryshim komuna e Prizrenit është paraqitur  si palë e dëmtuar.

Tre ish drejtorët e komunës së Prizrenit, Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi dhe Refik  Shaqiri së bashku me ish-zyrtarët e kësaj komune Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, po akuzohen se duke i tejkaluar  kompetencat e tyre kanë kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ish drejtorët, Levent Kasëmi dhe Fejzë Kabashi, në deklarimet e tyre të dhëna përpara trupit gjykues,  kanë mohuar akuzën se komuna e Prizrenit të jetë e dëmtuar nga veprimet e tyre  për lartësinë e dëmit për shkak të fitimit të humbur për katër vite.

Fillimisht, i akuzuari Kasëmi tha se ai nuk e  konsideron si të dëmtuar komunën e as palën e dëmtuar pasi që sipas tij  ankandi ka qenë një garë dhe në garë ka fitues dhe humbës e jo të dëmtuar.

Sa i përket cilësimit të këtij rasti si specifik, në pyetjet  e kryetares së trupit gjykues Teuta Krusha, Kasëmi tha se komisioni ka vendosur se është rast specifik sepse shumica e lokaleve që jepen me qira janë në zonë historike të qytetit të Prizrenit e cila zonë ka një ligj të veçantë për menaxhim ku ndalohen disa veprimtari të bizneseve, e për të kuptuar se çfarë veprimtari do të aplikojë aplikuesi të njëjtit kanë vendosur edhe kriteret tjera të cilat kanë vlejtë për të gjithë konkurrentët.

Në fund,  ai tha se llogaritja e pikave në rastin e ndarjes së lokale në vlerësimin e kritereve është bërë me përqindje dhe atë çmimi më i lartë  ka pasur pikat maksimale 50%, ndërsa 50% tjera e kanë plotësuar pikat nga kriteret tjera , e ku sipas tij për komisionin ka qenë  me rëndësi pika totale që janë përmbushur në mënyrë kumulative.

Tutje, gjatë seancës së të hënës u deklarua edhe i pandehuri Kabashi ku tha se tha se nuk ka arritur të kuptojë se përse prokuroria e ka paraparë komunën si palë e dëmtuar, sepse sipas tij komisioni është themeluar nga vetë komuna dhe për mbrojtjen e interesit të komunës.

Sipas tij , këtë ankand e ka përkrahur edhe kryetari i komunës, nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga ana e tij dhe bashkërisht me organet e tij siç është zyra e pronave, i njëjti ka bërë kontrata me përfituesit e këtyre lokaleve, sepse sipas tij  këtu komuna fituar dhe nuk humbur asgjë.

Në fund,  ai tha se në rast po të kishte ndonjë humbje materiale apo shkelje ligjore nga ana e komisionit, kryetari i komunës do ta kishte hudhur përzgjedhjen e komisionit dhe të kthente të njëjtën në rivlerësim.

Me këtë rast, pasi që kryetarja e trupit gjykues, njëri nga anëtarët e trupit gjykues, gjyqtari Luan Berisha dhe prokurori i shtetit janë të angazhuar në një seancë tjetër, seanca e së hënës ndërpritet dhe e njëjta u caktua për datë 29 gusht 2023.

Kujtojmë se, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të pandehurit Levent Kasemi kryetar i komisionit, Fejzë Kabashi zv. kryetar i komisionit, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna, anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtar,  nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Në aktakuzë thuhet se te njëjtit duke qenë pjesë e këtij komisioni  me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik gjegjësisht nenin 5 parag.3 të Ligjit nr.04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen Fatmire Berisha në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Yllka Shabani dhe Jetlira Sallteku

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter