Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë – Departamentin Special ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari , Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica.
“Drejtësia Sot” raporton se nëntë të akuzuarit e lartcekur po akuzohen për krim të organizuar lidhur me veprën penale shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve.
Ndërsa, si arsye për mosplotësimin e kushteve për mbajtjen e seancës së sotme, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti konstatoi mungesën e ekspertit dhe të dy dëshmitarëve.
Më këtë rast, gjyqtari Hoti njoftoi se seancat e radhës janë caktuar të mbahen në datat 15, 16, 17 janar 2024, nga ora 09:30.
Sipas aktit akuzues të Prokurorisë Speciale ata akuzohen se ata nga data 08.09.2006 deri me datën 09.10.2007 kanë kryer vepër të rëndë penale duke qenë si pjesë e grupit kriminal të organizuar, secili prej tyre duke pasur rol të veçantë në kryerjen e kësaj vepre penale me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme.
Të pandehurit dyshohet se duke importuar cigare si kontraktues të KFOR-it, në emër të KFOR-it kanë shpërdoruar detyrën zyrtare. Të lartpërmendurit akuzohen se në vend se t’i dorëzojnë cigaret në KFOR në vlerë prej 2.931.929.08, ata i kanë shitur cigaret pa banderole kompanive të tjera, kështu duke i shkaktuar evazion fiskal Republikës së Kosovës në vlerë prej 2,441,927,71 euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Arta Hyseni