|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Zyrtari i komunës së Klinës shpallet fajtor për korrupsion

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj Ymer Merlakut, i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Drejtësia Sot” raporton se i pandehuri Merlaku është gjetur fajtor se i ka tejkaluar kompetencat e tij si shef i Shërbimeve Pronësoro-Juridike në Drejtorinë e Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronës në komunën e Klinës.

Më këtë rast, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili më pëlqimin e të akuzuarit zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 5000 €.

Këtë dënim i akuzuari obligohet që ta paguaj me këste në afat prej 12 muaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sa i përket palës së dëmtuar në këtë rast Agjensionit Kosovar për Privatizim për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike udhëzohet në kontest civil.

Sipas aktakuzës, me datë 24.03.2015 në Drejtorinë e Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronës në Klinë, i akuzuar Ymer Merlaku në cilësinë e shefit të Shërbimeve Pronësoro-Juridike, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësojë personit tjetër përfitimin e dobisë pasurore, duke nxjerr vendim dhe duke ia njohur të drejtën e pronësisë në ngastrën kadastrale me nr. 719, e cila pronë më parë ishte pjesë e KBI ‘’Malushgan’’, e regjistruar si pronë shoqërore, e që është nën administrimin e plotë të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.

Me këtë, Prokuroria e ngarkon të pandehurin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 të ish-KPRK-së.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter