|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbyllet seanca për publikun ndaj të pandehurës Rozeta Hajdari

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë-Departamentin për Kundërvajtje, Gjyqtari Shaqir Mazreku mori vendim që të mbyll seancën gjyqësore për publikun kundër të pandehurës Rozeta Hajdari.

Gjyqtari konstatoi se të pranishëm ishin e pandehura Rozeta Hajdari dhe dy mbrojtësit e saj, dhe mbrojtësi i të dëmtuarës Avokat Florim Shefqeti me familjaren e të dëmtuarës pasi që kjo e fundit është e mitur.

Fillimisht, mbrojtësi i Rozeta Hajdarit – Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i propozoi gjykatës që të mbyll seancën për publikun pasi që palë në procedurë është e dëmtuara e mitur, dhe për të mbrojtur interesin e saj duhet respektuar Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Kurse këtë propozim e kundërshtoi mbrojtësi i të dëmtuarës Avokat Florim Shefqeti duke theksuar se në këtë seancë do të dëgjohet vetëm e pandehura e jo e dëmtuara. Ai shtoi si propozim që vetëm kur do të shihet video ku bënë pjesë e mitura si e dëmtuar e këtij rasti të mbyllet seanca gjyqësore, dhe i popozoi gjykatës që të urdhëroi të gjithë personat e paautorizuar që të heqin videon nga interneti ku edhe është publikuar video.

Kështu që Gjyqtari Shaqir Mazreku mori vendim që të mbyllet seanca gjyqësore për publikun në bazë të nenit 289 paragrafi 1 nënparagrafi 1.2 të Kodit të Procedurës Penale. 

Kërkesa për inicimin e procedurës të kundërvajtjes kundër Rozeta Hajdarit është bëra nga Policia e Kosovës, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin që ka ndodhur me datë 10 prill 2022, në rrugën “Vicianum”, lagja “Arbëria” Prishtinë. Me këtë kërkesë Ministrja Hajdari ngarkohet me mospërshtatje të shpejtësisë dhe aksident komunikacioni me lëndime trupore.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtor me vendim të formës së prerë./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Arta Hyseni.

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter