Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve Xhafer Ramaj dhe Shefshet Morina, të akuzuar për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të njëjtit nga ana e gjykatës i liruan lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohen, nën arsyetimin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale me të cilën akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Ndërsa, Komuna e Drenasit në cilësinë e palës së dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe sipas aktit akuzues të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhafer Ramaj akuzohej se duke qenë në pozitën e shef i sektorit të gjeodezisë si dhe akuzuari Shefshet Morina, në pozitën e shefit në sektorin e kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtar kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre të përcaktuara sipas ligjit.
Në aktakuzë thuhet se prej vitit 2010-2018 ata kanë bërë ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë ose livadh në tokë ndërtimore, kështu duke mos respektuar Ligjin për Tokat Bujqësore nr.02/L-26 si dhe Udhëzimin Administrativ për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore nr.41/2006.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave bujqësore në tokë ndërtimore në 16 zona kadastrale, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia sot
Monitoruar nga Rinor Bajrami