|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Një vitë e 6 muaj burgim për njërin nga të akuzuarit për Krim të Organizuar

Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Nuhi Mazreku, i cili së bashku me 10 të akuzuar të tjerë, akuzohej për veprën penale: Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Të akuzuarit Nuhi Mazreku, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj burgim si dhe 2 mijë euro dënim me gjobë.

Përmes këtij aktgjykimi, të njëjtit i janë konfiskuara edhe armët si dhe municionit të cilat kanë shërbyer si mjete për kryerjen e veprës penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Nuhi Mazreku, së bashku me 10 të akuzuar tjerë, akuzohet se gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri me datë 24.07.2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende të tjera në territorin e Republikës së Kosovës, të gjithë të pandehurit duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal dhe si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontriboujë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve, duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, në mënyrë të paautorizuar kanë importuar armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, ku të pandehurit varësisht nga roli i tyre kanë kontribuar në këtë aktivitet kriminal.

Me këtë i pandehuri, akuzohet se ka kryer veprat penale: Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Kujtojmë se në fjalën përfundimtare, Prokurorja e shtetit ka bërë rikualifikimin e veprës penale, ashtu që ka hequr pjesën e krimit të organizuar, duke e akuzuar të njëjtin vetëm për veprat penale: importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Gjykata ndaj të akuzuarve të tjerë ka shpallur aktgjykim, për disa lirues dhe për disa dënues, ndërsa ndaj të akuzuarit Nuhi Mazreku është veçuar procedura pasi që i njëjti nuk ka qenë në Republikën e Kosovës, kur ndaj të akuzuarve tjerë mbahej gjykimi.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter