|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet eksperti i ndërtimarisë dhe eksperti i gjeodezisë në rastin e ish-inspektorëve të Fushë Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, gjatë ditës së djeshme, ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor në rigjykim ndaj Valbona Ferati, Doruntina Dumani, Afrim Krasniqi dhe Mobere Hyseni, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pyetjet e drejtuara nga trupi gjykues, eksperti i ndërtimtarisë Lulzim Dema deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë më 04 prill 2022. Përveç kësaj i njëjti theksoi se inspektorët dhe punëkryesi kanë vepruar në bazë të rekomandimeve të tij, në lidhje me prerjen e balllkoneve dhe pasi që janë prerë ballkonet objekti ka qenë në përputhje me vijën ndërtimore të objekteve në atë zonë.

Ndërsa në marrjen në pyetje nga prokurori Zefë Prendrecaj, eksperti pohoi se tejkalimi i ndërtimit ka qenë rreth 200 metër katror dhe se prerja e këtyre ballkoneve ka rezultuar me vonesë, por që është marrë hapi për prerjen e këtyre ballkoneve. Pyetje ndaj ekspertit drejtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve lidhur me ligjshmërinë e vendimit të inspektoriatit të komunës, si dhe me fazën e prerjes së ballkoneve në objektin banesor.

Pranë deklaratës së dhënë në shqyrtim gjyqësor, si dhe ndaj ekspertizës së dhënë në rastin konkret, dekaroi se qëndron edhe eksperti tjetër i gjeodezisë Hamit Basholli.

Se a janë ndërtuar në bazë të pikave të ndërtimit objekti sipas lejes së Fushë Kosovës nga punëkryesi “Princesha Construction”, i njëjti deklaroi se në dosjen e lëndës pikat me kordinatat për lejen ndërtimore nuk janë siç është paraparë të ndërtohet objekti.

Trupi gjykues vendosi në favor të propozimit të prokurorit Prendrecaj për dëgjimin në seancën e ardhshme në cilësinë e dëshmitarit të ekspertit të gjeodezisë Afet Axhani, si dhe drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi, Avdullah Prebeza. Poashtu vendosi në favor të mbrojtjes, për dëgjimin e në cilësinë e dëshmitares Fatime Sylaj.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet për datën 20 tetor 2023, nga ora 14:00.

Ky është gjykimi i dytë në këtë çështje penale, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 qershor 2022, kishte nxjerrë aktgjykim lirues për të akuzuarit, me arsyetimin se nuk ka prova të cilat dëshmojnë kryerjen e veprës penale që i’u vihet në barrë sipas aktakuzës. Ndërsa Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2022 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rivendosje.

Ndërsa sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, e cila është ngritur më 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspeksionit në Fushë-Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë-Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare, duke bërë zhvendosjen e pikave të ndërtimit të objektit numër I, nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë-Kosovës.

Ndërsa, Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore.

Po ashtu, të akuzuarat Ferati dhe Dumani thuhet se kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Prokuroria Themelore, katër të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter