|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të komunës së Gjilanit

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit sot është mbajtur seanca e radhës në gjykimin ndaj zyrtarit komunal Izet Kurteshi.

Drejtësia Sot” raporton se Kurteshi po akuzohet se në vitin 2019, si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka nënshkruar marrëveshjen për shkëputje të kontratës për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan.

Seanca e sotme e udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi, vazhdoi me marrjen në pyetje të ekspertit financiar Riza Blakaj.

Eksperti Blakaj u deklarua lidhur me ekspertizën e tij financiare që përmban konkluzionet për kryerjen e punimeve në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan, kohëzgjatjen e punimeve te kontratës bazë dhe aneks kontratës, sigurimi i kontratës me policen e sigurimit përmes kompanisë “ELSIG” dhe vazhdimit të punimeve që janë përfunduar deri në momentin e shkëputjes të kontratës.

Më pas, trupi gjykues aprovoi propozimet që në këtë çështje penale të caktohet edhe një ekspert i prokurimit si dhe të plotësohet ekspertiza financiare e prezantuar sot nga eksperti Blakaj, vetëm sa i përket dëmit financiar që i është shkaktuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fund, trupi gjykues vendosi që gjykimi ndaj të pandehurit Kurteshi të vazhdojë në seancën e radhës që pritet të mbahet më datë 7 dhjetor 2023, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Izet Kurteshi akuzohet se si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Prokurimit (menaxher i kontratës) në kundërshtim me ligjin ka nënshkruar marrëveshjen për shkëputje të kontratës dhe nuk ka zbatuar policen e sigurimit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Kurtishi ka nënshkruar marrëveshjen për shkëputjen e kësaj kontrate të lidhur ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe operatorit ekonomik N.N.P “Arian-Co”, ende pa u përfunduar punimet.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri Izet Kurteshi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Leostina Maloku Sejdiu

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter