Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar dëgjimi i dy dëshmitarëve të radhës në rastin ku po akuzohen ish-kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq, zyrtarë komunal e kompani të ndryshme, përfituese të projekteve të Komunës së Leposaviqit, të akuzuar për krim të organizuar e korrupsion.
Gjyqtarja e rastit Violeta Namani lidhur me mungesën e të pandehurës Jellica Baraq, deklaroi se janë njoftuar nga mbrojtja se e njëjta ka ndërruar jetë në muajin shtator, andaj bazuar në këtë do pushon procedura ndaj saj.
Ndërsa në vazhdimin e seancës lidhur me një vendim të komisionit për pranimin teknik të punimeve në Komunën e Leposaviqit, mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Jabllanoviq, avokati Ramë Gashi, kundërshtoi që pjesë e administrimit të provave të jetë vendimi i komisionit, i cili është i strukturave paralele serbe, duke kërkuar që i njëjti të shpallet si provë e papranueshme. Poashtu se dëshmitari Dragan Peshakoviq nuk mund të jetë as dëshmitar, sepse nuk ka qenë pjesë e sistemit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por sistemit paralel.
Një propozim të tillë e mbështeti edhe mbrojtësi tjetër Florent Latifaj. Ndërsa lidhur me propozimin e avokatit Ramë Gashi, trupi gjykues refuzoi propozimin, duke e arsyetuar si të pabazauar dhe se i njëjti vendim nuk është pjesë e administrimit të provave.
Në pyetjet e të akuzuarit Aleksandar Kostiq, dëshmitari Peshakoviq deklaroi se kanë nënshkruar për projekte të njëjta edhe sipas sistemit të Kosovës, edhe sipas sistemit të Serbisë, përkatësisht sipas mbrojtësit të Kostiqit, avokatit Avdi Dinaj për ndërtimin e ngrohtores në shkollën fillore në Leposaviq përveç mjeteve të marra nga buxheti i Kosovës, janë marrë mjete edhe nga buxhetit i Serbisë, dhe jo vetëm për këtë projekt por edhe për tjerë dhe nuk dihet nga kanë shkuar paratë.
Ndërsa seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares K.A, e cilat u përgjigj në pyetjet e parashtruara nga prokurorja Merita Bina-Rugova si dhe mbrojtja lidhur me projektet e zhvilluara në Leposaviq.
Seanca do të vazhdon edhe nesër më datë 17 tetor 2023, nga ora 09:30, me dëgjimin e dy dëshmitarëve tjerë në këtë çështje.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.
I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale: Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./DrejtësiaSot
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti