|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Presidentja Osmani refuzon dekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se nuk do të dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një konferencë të mbajtur për media, presidentja Osmani theksoi se mosdekretimi i Isufajt është bërë për shkak të shkeljeve ligjore që kanë ndodhur gjatë procedurave në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit.

Lidhur me këto shkelje ligjore, presidentja Osmani iu referua edhe raporteve të shoqërisë civile që e kanë monitoruar këtë proces si dhe reagimeve nga ana e përfaqësueseve të ambasadave në vendin tonë.

Kujtojmë që në prill të vitit të kaluar, KPK i kishte propozuar presidentes Osmani dekretimin e kandidatit Blerim Isufaj për pozitën më të lartë në kuadër të sistemit prokurorial në vend.

Por, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit pati kritika që nga fillimi e deri në propozimin e kandidatit për këtë pozitë.

Fillimisht, shpallja e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ishte kritikuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, e cila e vlerësoi vendimin e KPK-së si befasues dhe humbje e mundësisë për të dëshmuar partneritet dhe transparencë.

Pavarësisht kësaj, KPK vazhdoi procesin rekrutues duke organizuar fazën e intervistave të kandidatëve Blerim Isufaj, Shqipdon Fazliu, Armend Hamiti, Kujtim Munishi dhe Lulzim Sulejmani. Nga këto intervista, Paneli përzgjedhës vlerësoi kandidatin Isufaj si më të suksesshmin me 98 nga 100 pikët sa ishte totali i vlerësimit.

Vlerësimi i kandidatëve dhe komplet procesi u kontestua nga koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, të cilët më 24 mars 2022 publikuan raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit: Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”.

Në këtë raport, GLPS, IKD dhe FOL tërhiqnin vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit dhe se KPK kishte dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandoi që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara.

Pavarësisht kontestimit të këtij procesi, KPK i propozoi Presidentes Vjosa Osmani dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, propozim i cili pas një viti e gjysmë u refuzua nga Presidentja.

Aktualisht, Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit është prokurori Besim Kelmendi./ Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter