|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shikohet një pjesë e video-incizimeve në gjykimin ndaj vrasjes së Oliver Ivanoviç

Ka vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç.

Të akuzuar në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç janë: Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq.

Gjykimi i sotëm ka vazhduar me shikimin e një pjesë të video-incizimeve të precizuara dhe të propozuara nga mbrojtësi i të akuzuarit Marko Rasiç, Av. Mahmut Halimi.

Avokati Halimi i ka propozuar gjykatës që të bëhet shikimi i tre pjesëve nga video-incizimet, mirëpo gjykata njërën nga pjesët e video-incizimeve nuk ka arritur ta transmetoj me arsyetimin se për videon e tillë nuk ka licencë përkatëse nga ana e gjykatës.

Kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, lidhur me mos hapjen e video-incizimeve të propozuara nga mbrojtësit e të pandehurve, kërkoj nga Prokurori Special Burim Qerkini, që në seancwn e radhës të sigurojë nga ana e hetuesve policor dhe nga forenzika, transferimin e video-incizimeve në një format tjetër për të cilën gjykata ka licencë.

Në fund të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Rade Basara, Av. Tomë Gashi, i propozojë gjykatës që të dëgjohen dy dëshmitarë, të cilët sipas tij do të dëshmonin se i mbrojturi i tij nuk ka pas fare lidhje me procedurën e hetimit në këtë rast, pasi që i njëjti ka qenë jashtë vendit në kohën kur është kryer vrasja.

Seancat e radhës u caktuan për datat 19 dhe 20 dhjetor 2023, në të cilën pritet të dëgjohen dy dëshmitarët e propozuar në këtë seancë si dhe të bëhet shikimi i video incizimeve të radhës.

Në seancën e radhës pritet që të bëhet shikimi i video-incizimi i atyre pjesëve të cilat janë propozuar dhe precizuar nga mbrojtësit e të akuzuarve si dhe nga prokurori special

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Rashiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,

Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markoviq, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedeljko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.

Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Rinor Bajrami

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter