|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

KGJK shqipton masa disiplinore ndaj tre gjyqtarëve për pjesëmarrje në aktivitete politike

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimet disiplinore për gjyqtarët Ljiljana Stevanoviq, Nikolla Kabashiq dhe Lidija Vuquroviq, lidhur me dyshimin për pjesëmarrje në aktivitetet e partisë politike “Lista Serbe”.

Më këtë rast, KGJK ka vendosur që të propozojë shkarkimin e Stevanoviq dhe Kabashiq nga detyra e gjyqtarit ndërsa ka shqiptuar vërejtje publike me shkrim për gjyqtaren Vuquroviq.

Në vendimin për gjyqtaren Stevanoviq, e cila njëkohësisht ishte kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, KGJK gjeti se më datë 6 nëntor 2022, ajo kishte marrë pjesë dhe kishte mbajtur fjalim gjatë protestës së organizuar nga “Lista Serbe”.

Në fjalimin drejtuar protestuesve, thuhet se ajo u ishte drejtuar me fjalët: “Populli im, vëllezër dhe motra, rroftë Serbia, atdheu ynë, rroftë presidenti ynë Aleksandër Vuqiq, presim ndihmën e tij. Presidenti ynë Aleksandër Vuqiq, nuk e len kurrë këtë komb”.

Sipas Këshillit, ky fjalim i subjektit të procedurës disiplinore kishte qenë tërësisht politik, me konstatime të pa vërteta dhe të drejtuara kundër vet sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, në të cilin me vullnetin e saj është integruar.

Më këtë rast, KGJK vendosi që Presidentes së Republikës së Kosovës t’i propozohet shkarkimi i gjyqtares/kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, për faktin se veprimet e saj bien në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatat, Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe me Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë.

Edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit – Divizioni në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, është propozuar për shkarkim nga kjo pozitë për faktin se u vërtetua pjesëmarrja e tij në takimin e partisë politike “Lista Serbe”, i mbajtur më datë 5 nëntor 2022.

KGJK thekson se në këtë takim, Kabashiq ishte ulur në radhën e organizatorëve respektivisht të drejtuesve të institucioneve. Këtë veprim të gjyqtarit Kabashiq, KGJK e ka vlerësuar se bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktet tjera ligjore e nënligjore që rregullojnë statusin, të drejtat dhe përgjegjësitë e gjyqtarit.

Për takimin e “Listës Serbe”, i mbajtur me 5 nëntor 2022, procedura disiplinore ishte iniciuar edhe për  Lidija Vuquroviq, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë.

Për gjyqtaren në fjalë, Këshilli ka shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje publike me shkrim” për faktin së është vërtetuar që e njëjta ka marrë pjesë në këtë takim të karakterit politik dhe se më këtë e ka dëmtuar besimin e publikut për pavarësinë e gjyqtarit.

Këshilli ka vlerësuar se masa disiplinore e shqiptuar ndaj gjyqtares Vuquroviq është proporcionale me shkeljen disiplinore, pasi që në rastin konkret ka vlerësuar se shqiptimi i masës për ulje të pagës ka qenë i pamundur për shkak se gjyqtarja aktualisht e ka deklaruar dorëheqjen.

Kujtojmë që nga nëntori i vitit të kaluar, këto janë tri vendimet e para disiplinore pas dorëzimit të dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb të angazhuar në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe në Divizionin e Gjykatës së Apelit./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter