Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda, janë dëgjuar dy dëshmitarë në gjykimin për mashtrim me subvencione.
Në këtë rast të akuzuarit Zoja Krasniqi, Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi, Valon Bllacaku, Arjeta Koraqit dhe Dafina Qelës. Ata po ngarkohen me veprat penale: Konflikti i interesit, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Mashtrim me subvencione.
Dëshminë e para e filloj dëshmitarja Valbona Gashi-Uka, e cila deklaroj se gjatë vitit 2011-2014, ka qenë drejtoresh e sektorit për Rini dhe Sport në Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës.
E njëjta deklaroj se nuk i kujtohet që dikush ka pasur detyrë që të përcjellë realizimin e këtyre subvencioneve. Po ashtu dëshmitarja deklaroj se pas prezantimin tek drejtoresha jo të gjitha aplikimet kanë marrur aprovim.
Dëshmitarja tutje deklaroj se me të akuzuarën Zoja Krasniqi, njihet që 10 vite, ndërsa në pyetjen e Prokurores Merita Lumezi, se po ta kishte ditur se familjarët e Zoja Krasniqi po aplikojnë disa herë,a e kishit njoftuar udhëheqësin tuaj, dëshmitarja deklaroj se “Unë nuk e kam ditur që familjarët e Zojës kanë aplikuar për subvencione, po besoj po ta kisha ditë do ta kisha njoftuar”.
Tutje dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Kushtrim Canolli.
I njëjti deklaroj se ka qenë në zyre tek e akuzuara Zoja Krasniqi, në Komunën e Prishtinës, ndërsa nuk e mban mend se për cka ka qenë në zyrën e saj, por kryesisht për aktivitete rinore, takim koordinues dhe jo për subvencione.
Në pyetjen e Prokures Merita Latifi, i njëjti deklaroj se asnjëherë nuk ka aplikuar për ndonjë subvencion në Komunën e Prishtinës.
Kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku, njoftoj të pranishmit se seanca e radhës do të mbahet me datën 15 dhjetor 2023.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.
Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.
Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndojnë akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në vazhdim, e akuzuara Albulena Rama – Gashi në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me projekte fiktive në emër të Shpresa Krasniqit, duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj – Zoja Krasniqit. Përmes këtyre veprimeve, Rama – Gashi dyshohet të ketë fituar shumën 10,150 euro me ç’rast Prokuroria e ka ngarkuar me akuzën se ka kryer veprën penale – mashtrim me subvencione.
Projektet fiktive të së njëjtës i ka shfrytëzuar e akuzuara Dafina Çela, e cila ka aplikuar në projektet “Suksesi varet nga përpjekjet” dhe ‘’Rinia e jonë” me ç’rast akuzohet se përmes veprës penale – mashtrimi në subvencione ka përfituar shumën prej 1,115 euro.
Sipas Prokurorisë Speciale, e akuzuara Rama-Gashi me të akuzuarën Arjeta Koraqi, në bashkëkryerje kanë aplikuar për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e te rinjve në procesin e Integrimit Evropian” me ç’rast dyshohet të ketë pasur përfitim prej 800 eurosh.
Ndërsa i akuzuari Armend Gashi dyshohet se në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me një mal projektesh fiktive, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së saj – të akuzuarës Zoja Krasniqit.
Përmes këtyre projekteve, Gashi dyshohet të ketë përfituar mbi 10 mijë euro.
Kurse me dy projekte fiktive kishte aplikuar i akuzuari Valon Bllacaku, i cili duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të tij – të akuzuarës Krasniqi, dyshohet të ketë përfituar shumën mbi 2 mijë euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rinor Bajrami