Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim Dobruna e Edon Bajrami që nga fillimi i vitit 2005 me qëllim të arritjes së përfitimeve të drejtpërdrejta të dobisë pasurore, akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë formuar grupin formular, grupin kriminal të organizuar që do të merrej me aktivitete kriminale e që do të bashkëvepronte me hakerët e panjohur deri më tani të sistemeve kompjuterike bankare të shteteve të ndryshme.
Në këtë seancë, gjyqtarja e rastit Fatime Dërmaku njoftoi se përmes shkresës Procredit Bank ka njoftuar gjykatën se nuk ndihet më palë e dëmtuar në këtë proces, ndërsa të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Raiffeisen Bank, por në seancën e kaluar.
Ndërsa në vazhdim të seancës, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova deklaroi se në seancën e kaluar është shqyrtuar mundësia e dëgjimit të policit Blerim Krasniqi si dëshmitar, por nga hulumtimi dhe konstatimi ky person nuk është i qasshëm në Kosovë, pasi nuk është pjesë as e Policisë së Kosovës, por e njëjta propozoi që të dëgjohen si dëshmitar policët Zijadin Hasani dhe Visar Pacolli, të cilët janë pjesë e njësisë së hetimeve dhe të kibernetikës.
Një propozim të tillë e kundërshtoi mbrojtësi Mentor Neziri, me faktin që të njëjtit nuk dinë se për çfarë do të dëshmojnë si dhe se sa ata janë të gatshëm që pas 17 viteve kur nuk kanë qenë pjesë e këtij procesi të japin dëshminë e tyre, duke kërkuar që propozimi i prokurores Bina-Rugova të refuzohet si i pabazuar.
Lidhur me kundërshtimin ndaj dëgjimit të dy dëshmitarëve të lartëcekur të propozuar nga prokurorja, edhe mbrojtësi Shemsedin Hiraj theksoi se të njëjtit nuk janë të ballafaquar asnjëherë me këtë rast dhe se me vetë deklarimin e përfaqësuesve të bankave se nuk e ndiejnë vetën si palë të dëmtuara, deklaroi që ky rast duhet të merrë epilog krejtësisht tjetër, pasi që kur nuk ka subjekte të dëmtuara, nuk mund të ketë as krim të organizuar.
Prokurorja Bina-Rugova në fjalën e marrë deklaroi se palët e dëmtuara ekzistojnë, por të cilat janë jashtë vendit dhe se kjo është specifika e veprës penale.
Tutje, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, kërkoj nga prokurorja që në seancën e radhës të jenë prezent dy dëshmitarët e propozuar Zijadin Hasani dhe Visar Pacolli.
Seanca e radhës e këtij shqyrtimit gjyqësor u caktua me datë 16 janar 2024, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim Dobruna e Edon Bajrami me veprime kriminale të hyrjes në sistemet kompjuterike bankare, falsifikimit të kartelave bankare dhe tërheqjes së shumave të ndryshme të parave në emër të personave të dëmtuar përmes agjensionit financiar “Ëestern Union” që operon në Kosovë, kanë përfituar dobi pasurore-financiare të drejtpërdrejtë në shumën e përgjithshme prej 198,454.10 euro.
Me këtë, sipas aktakuzës të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar”, nga neni 274 par 1, lidhur me 23 të KPPK-së lidhur me veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 264 par 2 të KPPK-së, “Lëshimi i ceceve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit”, nga neni 248 par 3 të KPKK-së dhe “Pastrimi i parave”, nga neni 10.2 nën paragrafi a),b),d) dhe e) të Rregullores së ULMIK-ut nr.2004/2, Mbi pengimin e pastrimit të parave dhe veprave tjera penale.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti