|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Administrohen video-incizimet në rastin e shtatë të akuzuarve për krim të organizuar me substanca narkotike

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar lidhur me substanca narkotike.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor e ditës së sotme vazhdoi me shikimin e videove si prova materiale në këtë rast gjyqësor, meqë rast prokurori i rastit Burim Çerkini paraqiti një pjesë të tyre.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fethi Ojgur, avokati Fitim Shporta deklaroi se në konsultim me të mbrojturin e tij janë dakorduar që të shikohen të gjitha imazheve në CD-ë ku shihet i akuzuari Fethi Ojgur.

Në administrimin e provave, në njërën nga videot e administruara u shfaq dalja e të akuzuarit Fethi Ojgur dhe dy bashkëpunëtorëve tjerë nga banesa me qese plastike të zezë. Ndërsa në videon tjetër u shfaq vendosja e dy qeseve dhe një valixheje duke u vendosur në një veturë brenda objektit.

Mbrojtësja e të akuzuarit Eroll Marku, avokatja Alberina Foniqi  deklaroi se sipas shkresës që kanë shihet që nga CD numër 546 deri në 616 ku bëhet fjalë vetëm për të mbrojturin Eroll Marku dhe të akuzuarin Alajdin Ramadani dhe pas konsultimit me avokaten Saranda Beqiri konstatuan se nuk ka nevojë që kjo pjesë e CD të shikohet meqë bëhet fjalë për të njëjtën hyrje të ndërtesës së banesës së të akuzuarve. 

Në vazhdim të seancës u administruan edhe video tjera të cilat kanë të bëjnë me të akuzuarit tjerë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me dt. 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter