|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi ndaj nëntë personave të akuzuar për korrupsion e organizim të lojërave të fatit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurve Skënder Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhijaj, Arian Kastrati, Burim Ismajli, Ramadan Ibishi, Selatin Hoxha dhe Fisnik Ibishi.

“Drejtësia Sot” raporton se në këtë çështje penale të pandehurit e lartcekur po akuzohen për veprat penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronës, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Në seancën e sotme, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Xh.C., i cili në pyetjet e parashtruara nga i pandehuri Ramadan Latifi, mbrojtësi i tij avokati Driton Musliu dhe nga prokurori Shpëtim Peci, dha detaje lidhur me rrethanat kur është njohur me të pandehurin Latifi si dhe mohoi që tavolinat e lojërave të fatit të kenë qenë të tij.

Lidhur me burimin se nga kanë ardhur këto tavolina të lojërave të fatit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Valon Kurtaj aprovoi propozimin e prokurorit special që në këtë gjykim të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër.

Seancat e radhës në këtë çështje penale është e caktuar për datën 21 nëntor 2023, në të cilën pritet të dëgjohen dëshmitarët e propozuar.

Ndryshe sipas aktakuzës, të pandehurit Skënder Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, po akuzohen se nga shkurti i vitit 2015 e deri më datë 01.12.2016 duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuar me ligj në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit, ashtu që kanë siguruar numra serik të dublifikuar-falsifikuar të Roletave dhe të aparateve të automateve e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme e kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë.

Në pikën 2 të aktakuzës, të pandehurit Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhija dhe Burim Ismajli, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë organizuar lojëra të fatit të  cilat janë të ndaluara me Ligjin për lojëra të fatit, ashtu që në njësitë e baltores sportive ” Planet Ëin 365″, pronë e Ramadan Latifi, pas koordinimit në mes veti kanë blerë programin për Lojëra “Keno” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Ndërsa, i akuzuari Ramadan Ibishi, akuzohet edhe për veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarit Ramadan Ibishi, Selatin Hoxha dhe Fisnik Ibishi, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale: Zbulimi i fshehtësisë zyrtare.

I pandehuri Ramadan Ibishi, në cilësinë e personit zyrtar-Inspektor i lartë i ATK-së, me qëllim të përtimit material pa autorizim ju ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare, ashtu që i ka njoftuar menaxherët e kompanive të lojërave të fatit për aksionet e ATK-së, kur dhe ku ata do të dalin në aksion, vetëm apo me policinë dhe Doganën e Kosovës, e duke u dhënë edhe udhëzime që ti mbyllin lokalet që këta persona do të mund të ju iknin ndëshkimeve apo masave të tjera ligjore për punën e kundërligjshme të tyre.

I pandehuri Selatin Hoxha, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar- Inspektor i lartë i ATK-së, ju ka vënë në dispozicion personave të tjerë, të pandehurve Driton Haxhijaj, Arian Kastrati dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare, ashtu që i pandehuri i ka njoftuar personat e paautorizuar-menaxherët e kompanive të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokalëve apo edhe është takuar fizikisht me ta për ti njoftuar për kontrollet e kryera dhe gjobat e shqiptuara duke ju mundësia të pandehurve të tjerë- menaxherëve të kompanive të lojërave të fatit që të ikin kontrollove kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

I pandehuri Fisnik Ibishi, akuzohet se me dashje i ka ndihmuar të pandehuri Ramadan Ibishi, i cili është babai i tij në kryerje të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare, në atë mënyrë që i pandehuri Ramadan Ibishi deri sa ka qenë në orar të punës ja ka përcjell të pandehurit Fisnik Ibishi, informatat zyrtare dhe atë se kur dhe ku do të bëhet kontrolla nga inspektorët e ATK-së, në bizneset e lojërave të fatit, atëherë i pandehuri i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojrave të fatit, duke ju dhënë në këtë mënyrë, informata se në cilin qytet janë duke dal kontrolla e ATK-së për inspektim të lokaleve, e duke ju mundësuar kompanive të lojërave të fatit- menaxherëve të kompanive të lojërave të fatit që ti ikin kontrolleve kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtarinë e kundërligjshme të tyre.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter