|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Sami Lushtakut, Sheremet Jashari, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Fatmir Mjaku e Bajram Dibrani, ku të njëjtit po akuzohen për krim të organizuar dhe pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale.

Në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, theksoi se, mungojnë disa prej palëve në procedurë.

Tutje, gjyqtari Kurtaj, theksoi se gjykata është njoftuar se prokuroria nuk ka mundur të sigurojë dokumentet të cilat janë kërkuar nga ana e gjykatës në këtë çështje penale dhe se ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet.

Lidhur me arsyet e kërkesës për shtyerje të kësaj seance, prokurori Atdhe Demaj deklaroi se nuk ka për të shtuar diqka tjetër.

Në koherencë të kësaj, gjykata konstatoi se nuk ka kushte për të vazhduar më tutje dhe seanca u shtye për një afat të pacaktuar.

Dëshmitarët të cilët sipas prokurorisë janë penguar dyshohet se kanë dhënë deklarata të rrejshme në shqyrtimin gjyqësor ku po gjykoheshin Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Sabit Geci dhe Ismet Haxha për rastin e arratisjes nga QKUK-ja.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohet të kenë mohuar deklaratat e dhëna në procedurë paraprake si rezultat i ndikimit nga të pandehurit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë nxitur dëshmitarin “C” për të dhënë deklaratë të rrejshme, duke i premtuar vend pune dhe i kanë ofruar shumën e parave në shumë prej 40 mijë euro dhe një banesë në lagjen Dardania në Prishtinë.

Në këmbim të mohimit të deklaratës në procedurë paraprake, të pandehurit i kishin paguar dëshmitarit “C” edhe trajtimin e gruas së tij në spital.

Kjo deklaratë e rrejshme kishte penguar në gjykimin e rastit “Arratisja nga QKUK-ja” – P.938/13, ku ishin liruar nga akuza të pandehurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Sabit Geci, thuhet në dosjes së Prokurorisë.

Përveç këtij dëshmitari, ata dyshohen se kanë ndikuar edhe në një dëshmitar tjetër duke e kërcënuar.

Sipas dosjes së prokurorisë, veprimet e të pandehurve në procedurë përbëjnë shkeljet sipas Kodit Penal: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal”.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Për të akuzuarit Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skënder Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.

Ndërsa për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitorues Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter