Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Skender Hyseni, i akuzuar për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”
Aktgjykimi lirues ndaj tij u shpall nga gjyqtari Sabit Sadikaj.
Sipas gjykatës, Hyseni lirohet nga akuza pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani