|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e radhës në rastin e Pal Lekaj dhe të tjerët

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të akuzuarit Pal Lekaj, Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

Seanca vazhdon me vërejtjet e palëve mbrojtëse të cilët kanë vërejtje lidhur me ekspertizën e paraqitur nga seanca e kaluar. Për ekspertin e dëgjuar në cilësi të dëshmitarit avokat Florent Latifaj ka vërejtje për shkak se i njejti sipas mbrojtësit ka përdorur dokumente të cilat nuk janë të vërtetuara apo të vulosura dhe në këtë rast ka bërë shkelje.

Avokat Urim Vokshi, thekson se ka vërejtje sepse eksperti është caktuar si ekspert financiar, ndërsa gjatë dëgjimit të tij nga prokuroria është pyetur në cilësi të ekspertit të prokurimit. I njejti nuk ka bërë asnjë konstatim financiar për të konstatuar shumat që janë objekt i këtij procesi dhe detyra e vetme e tij ka qenë të bëjë këto kalkulime.

Pas vërejtjeve të paraqitura, me kërkesë të Mbrojtësit Musa Damati që Pal Lekaj të japë dëshminë e tij, trupi gjykues e aprovon këtë kërkesë.

Në pyetjen e Avokatit Musa Damati se a mund të sqaroni si ka rrjedhë i tërë procesi i rrugës Prishtine – Hani Elezit, i pandehuri Lekaj thekson se për projektin, nuk kam qenë i informuar për problemet ekzistuese dhe për detyrimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në momentin që jam njoftuar se ka rrezik të ndërprerjes së kontratës kam dalur në teren dhe kam parë që në tërë projektin, për 3 vite kanë qenë të ndërtuara vetëm 10 km apo 25% e punës ka qenë e kryer. Nga komunikimi im me Bechtel Enka me është bërë e qartë qe nëse nuk vazhdohet kjo kontratë zgjidhja e saj do të behet përmes Arbitrazhit.

Seancat e radhës do të mbahen me datë: 14 dhjetor, 09, 10 janar dhe fjala përfundimtare me datë 26 janar nga ora 09:30.

Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.

Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter