|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet një dëshmitar në rastin e dy ish zyrtareve të Postës së Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuara janë Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti Abazi, të cilat akuzohen për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.

Fillimisht, gjyqtari Agim Kuçi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurorës Shenaj Berisha, të akuzuarës Fllanza Shabi, me mbrojtësen e saj avokate Hedije Ademi, si dhe të akuzuarës Fatime Hoti, me mbrojtës avokat Ramë Dreshaj.

Seanca tutje ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit B.K.

Dëshmitari, ndër të tjera, ka deklaruar se si hartues i raportit të auditimit përfundimtar të vitit 2015, të gjeturat kanë qenë mosbarazimi financiar, respektivisht mungesa në zyrën postare nr.10, regjioni i Prishtinës, në vlerë prej 76.151.16 euro, si dhe mungesa apo zhdukja e dokumentacionit, për periudhën 2009-2012.

Tutje, i njëjti ka shtuar se raporti i auditimit është bazuar në raportin e grupit punues për verifikimin e kërkesave të hapura për shërbimet e Western Unionit.

Për dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, gjyqtari Kuçi vendosi që të dëgjohen në seancën e radhës, me datën 7 shkurt, 2024.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 gusht 2018, e akuzuara Fllanza Shabi, në cilësinë e zyrtares së shitjes së PTK-së në Prishtinë, në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti Abazi, si zyrtare e teleshitjes në PTK, akuzohen se me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kishin tejkaluar kompetencat e tyre.

Gjithnjë sipas akuzës, të akuzuarat në periudhën 2009-2012, kanë përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Western Union”, në Postën e Kosovës.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarat se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, e sanksionuar sipas nenit 425 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter