|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e radhës në rastin e Pal Lekaj dhe të tjerët


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të akuzuarit Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

Në seancën e sotme të akuzuarit Eset Berisha dhe Besim Tahiri kanë paraqitur mbrojtjen e tyre.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij av. Afrim Salihu rreth cështjes së ndryshimit në mes të kontratës bazë dhe aneksit të saj si dhe klauzolave të parapara me këtë kontratë, Berisha thekson se kontrata bazë është hartuar nga Këshilltari i Qeverisë, klauzolat me të cilat ishin ndryshuar në formë të anekseve dhe të gjitha ishin nënshkruar me datë 1 korrik 2014.

Ndërsa, sa i përket kompanisë ndërtuese Bechtel Enka se a keni marrë pjesë në takime, Berisha shton se antarët e Komitetit Drejtues Ndërministror kanë caktuar nga një këshilltar të tyre që të zhillohen takimet lidhur me detajet e kërkesave të tyre.

Për sa i përket rrjedhës së projektit i akuzuari Besim Tahiri ndër të tjera thekson se, ky projekt ka qenë nën menagjimin e Komitetit Drejtues Ndërministror dhe Kompania Hill Internacional, komunikimet e Bechtel Enka në raport me Qeverinë janë përcjell përmes Komitetit ndërministror.  

Tutje, i akuzuari Tahiri thekson se pavarsisht se është menagjuar nga KDNM, projekti ka qenë në vazhdimsi i udhëhequr nga udhëheqësi i projektit dhe me ardhjen e qeverisë së re është kërkuar që të bëhet zgjidhje tek afati i kontratës dhe e njejta të mos hyj në 3 mujorshin e fundit.

Ndërsa, rreth cështjes së nënshkrimit të marrveshjes pa përcaktuar kosto, i akuzuari Tahiri thekson se, qështja e afatit ka qenë e dakorduar në mes të palëve, zgjatja e afatit është bërë sipas vendimit të KDNM, sipas opinionit të HILL për zgjatje dhe pranimit nga Bechtel Enka. Kontestues ka qenë vetëm kërkesa financiare e Bechtel Enka-s dhe është lënë jashtë kësaj marrëveshje për tu zgjidhur në të ardhmen.

Seanca e radhës do të mbahet me datë: 26 janar në të cilën do të paraqitet fjala përfundimtare.

Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.

Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.

E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter