|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Të akuzuarit paraqesin mbrojtjen në rastin për krim të organizuar me substanca narkotike

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar lidhur me substanca narkotike.

Në paraqitjen e mbrojtjes, i akuzuari Ertan Dacic u mbrojt në heshtje, ndërsa të akuzuarit tjerë u deklaruan para trupit gjykues në krye me gjyqtarin Vesel Ismaili.

Të akuzuarit Eroll Marku dhe Filip Mishevski pranuan fajësinë për veprën penale kultivim i bimëve narkotike, mirëpo jo edhe për akuzën për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, meqë rast Marku u mbrojt në heshtje për këtë pjesë të akuzës.

Ndërsa në deklarimin e të akuzuarit Fethi Uygur, në pyetjet e prokurorit të shtetit Burim Çerkini, konfirmoi se merret me kazino në Turqi, të cilat lojëra si poker dhe blackjack i organizon në poashtu në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

I njëjti konfirmoi përfshirjen e Shefki Kayserli lidhur me dy thasët e zinj të gjetur në veturë, e të cilët përmbanin narkotikë, mirëpo mohoi përfshirjen e tij në këtë rast, duke e quajtur komplot nga persona tjerë. Ndërsa për moslajmërimin e organeve të rendit pas zbulimit të narkotikëve në thasë, i akuzuari Uygur deklaroi se në rast të lajmërimit do kishte qenë në rrezik jeta e tij.

I akuzuari tjetër Alajdin Ramadani, i cili u deklarua në mbrojtjen e tij, theksoi se ishin ftuar për të punuar nga Aleksander Nastevski dhe se detyra e tij ka qenë të i prej bimët narkotike të rritura.

Në fund të seancës, në deklarimin e tij, i akuzuari Filip Mishevski, deklaroi se ndjehet fajtor për veprën penale kultivim i bimëve narkotike dhe se ka ardhur në Kosovë në atë kohë për të bërë instalimin e energjisë elektrike në laboratorin e drogës, të cilën gjë e kishte të ditur në fillim, por që nuk kishte menduar se ishte diçka e madhe këtu, pasi që në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i legalizuar kanabisi për shkaqe mjekësore. 

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 7 shkurt 2024, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me dt. 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter