|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit për Keqpërdorim të informatës zyrtare


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Depratamenti i Krimeve të Rënda, është shpallur aktgjykimi fajsues ndaj të pandehurit Xhemajl Syla i cili akuzohet për veprën penale keqpordorim i informatës zyrtare.

Trupi gjykues sot me datë 15.01.2024 ka shpallur aktgjykimin me të cilin të pandehurin Xhemajl Syla e shpall fajtor dhe të njejtin e dënon me burgim efektiv prej 2 viteve. Po ashtu, i pandehuri Xhemajl Syla u dënua me gjobë në shumën 5.000 euro.

Gjithashtu, i akuzuari Syla është i obliguar që t’i paguaj shpenzimet e procedurës si dhe paushallin gjyqësor. Gjykata Themelore në Prishtinë, në korrik të vitit 2022 e kishte dënuar Xhemajl Sylën me 2 vite burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me të cilën kishte kërkuar që i pandehuri Syla të dënohet me burg efektiv.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportiť”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter