|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet eksperti financiar në rastin ndaj të akuzuarve për Krim të organizuar dhe Korrupsion

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari , Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica.

Nëntë të akuzuarit e lartcekur po akuzohen  për krim të organizuar lidhur me veprën penale shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve.

Në seancën e sotme u dëgjua eksperti financiar Xhevdet Krasniqi, i cili në pyetjet e trupit gjykues si dhe mbrojtësve u deklarua lidhur me aspektin e llogaritjes së mallit, dëmit të shkaktuar, shmangies nga tarifat dogane dhe akcizore etj.

Në ekspertizën e tij, Krasniqi theksoi se për 40 faturat e KFOR-it Turk vlera e mallit është 844 mijë e 718 euro e 8 cent, ku totali i cigareve është 24 milionë e 200 mijë, ku këto llogarite janë bërë për arsye të llogaritjes së taksës së akcizës dhe doganës.

Poashtu i njëjti thesoi se shmangia është llogaritur në bazë të mallit që mungon dhe se për punën e tij nuk është bazuar në ekspertizën e ekspertit të kaluar.

Në vazhdim të seancës, mbrojtja e të akuzuarve kontestoi disa prej shifrave të paraqitura nga eksperti Krasniqi, e të cilat nuk ishin të llogaritura veqmas për secilin të akuzuar dhe nuk përputheshin sipas shkresave të lëndës, meqë rast gjyqtari i rastit ndërpreu seancën.

Seanca e sotme do të vazhdon nesër dhe pasnesër, pra me date 16 dhe 17 janar 2024, nga ora 09:30.

Ndryshe, që nga dhjetori i 2019-ës kur Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarve Ferizi, Avdiu, Jashari, Vitia, Mustafa, Ferizi, Faton dhe Arsim Topanica dhe Jashari, Themelorja nuk kishte caktuar deri me sot mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.

Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.

Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.

Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter