Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Shaip Ferizi, Mexhid Mustafa, Ajdar Jashari, Shqipe Avdiu, Arben Jashari , Mustafë Vitia, Besnik Ferizi, Faton Topanica dhe Arsim Topanica.
Nëntë të akuzuarit e lartcekur po akuzohen për krim të organizuar lidhur me veprën penale shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve.
Në seancën e sotme eksperti Xhevdet Krasniqi ka vazhduar me elaborimin e ekspertizës.
Në raport me ekspertizën e përpiluar nga eksperti Krasniqi, si dhe mospërputhjen e llogaritjeve bazuar me shkresat e lëndës, fillimisht eksperti theksoi se ka bërë ndryshimet dhe të njejtat i elaboroi para trupit gjykues.
Në lidhje me konfiskimin e mallrave av. Asdren Bytyqi kërkoi sqarim nga eksperti se pse nuk janë specifikuar të gjitha llojet e mallrave por vetëm cigaret, eksperti sqaroi se është marrë totali i përgjithshëm i konsfiskimit dhe nuk është bërë specifikim për ndonjë mall të caktuar.
Tutje, mbrojtja kërkoi nga trupi gjykues që pas dëgjimit të ekspertit, të caktohet një grup ekspertësh profesional dhe të përpilohet një super ekspertizë në mënyrë që të sqarohen dyshimet dhe gabimet nga ekspertiza e kaluar.
Në këto rrethana, trupi gjykues merr aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e mbrojtjes që të caktohet një grup i ekspertëve duke qenë se ka kontradikta në disa cështje dhe për të njejtat të merret përgjigjja e duhur.
Seancat e radhës u caktuan të mbahen me datë: 13,14 dhe 15 maj 2024 nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.
Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.
Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.
Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha