|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohen fajtor edhe në rigjykim tre të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Subvencionet 3’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në rigjykimin ndaj tre të akuzuarve për mashtrim me subvencione dhe për dhënie ryshfeti, në rastin e njohur si ‘Subvencionet 3’.

Në këtë rast të akuzuar janë 3 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe 7 qytetarë, ndër ta dhe përfitues subvencionesh. Gjykata pas pranimit të fajësisë nga katër të akuzuarit në gjykimin e kaluar, kishte vendosur që në tërësi ta veçojë procedurën për ta dhe aktgjykimi fajësues ishte shpallur me datë 18 shtator 2023, ndërsa pas ankesës së palëve gjykata e apelit me aktvendimin e datës 29 nëntor 2023 ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në seancën e sotme, gjyqtarja e rastit Valbona Musliu-Selimaj njoftoi se për të akuzuarin Halit Avdijaj i cili akuzohet për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’, se vepra është parashkruar në mënyrë absolute dhe me aktvendim të veçantë është pushuar procedura ndaj tij me datë 26 dhjetor 2023. 

Njëjtë si në seancën e shqyrtimit fillestar të gjykimit të kaluar, tre të akuzuarit Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Bejtush Gashi u deklaruan fajtor për veprat penale të cilat akuzohen.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Bejtush Gashi, avokati Lavdrim Salihu kërkoi që të merret qëndrimi i prokurorisë nëse për të mbrojturin e tij ka parashkrim relativ të veprës për të cilën akuzohet, pasi që sipas mbrojtjes është arritur parashkrimi relativ, rreth të cilës prokurori Rafet Halimaj kundërshtoi propozimin e mbrojtësit Salihu, duke deklaruar se nuk ka parashkrim relativ ndaj të akuzuarit Gashi duke u bazuar në të gjitha provat dhe shkresat e lëndës.

Njëkohësisht në seancën e sotme u paraqiten edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese rreth veprave të cilat akuzohen se kanë kryer tre të akuzuarit.

Seanca e radhës për shpalljen e aktgjykimit për të akuzuarit e lartëcekur, u caktua për datën 22 janar 2024, në ora 13:15.

Përndryshe, sipas aktakuzës, së siguruar, i pandehuri Arbër Avdijaj, akuzohet në 4 pika të aktakuzës, përkatësisht në pikën 3 për  “Dhënie ryshfeti” nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPRK-së, në pikën 4 të aktakuzës, A.A po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni  422 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPKR-s, ndërsa në pikën 5 akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim me Subvencione“ nga neni 324 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPRK-së.

Në pikën 6 të aktakuzës Avdijaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Mashtrim me subvencione’ në vazhdimësi, përkatësisht se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pa sakta në AZHB.

Në vazhdim, në pikën 10 të akuzës, i pandehuri Sadush Kabashi , po akuzohet se në parkingun e BPB bankë, përmes të pandehurit A.A i jep para ryshfet të pandehurit L.S si Drejtor për Pagesa Direkte në AZHB, me të cilat veprime i pandehuri Kabashi akuzohet ka kryer veprën penale “Dhënie Ryshfeti“ nga neni 422 paragrafin 3 lidhur me paragrafin 1 të KPKR-së.

Kurse, pika 13 e aktakuzës e ngarkon Bejtush Gashi se i ndihmon të pandehurit V.P në marrjen e ryshfetit nga i pandehuri H.A në mënyrën që është përshkruar në pikën e 11.

Me këtë PSRK-ja e akuzon të pandehurin Bejtush Gashi se ka kryer veprën penale  Ndihmë në veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi  1  lidhur me nenin 33 të KPKR-së.

Ndërsa 6 të akuzuarit tjerë të cilët nuk kanë pranuar fajësinë në seancën e kaluar, ndër ta zyrtarë e qytetarë, akuzohen për veprat penale  “Marrje Ryshfeti”  e “Mashtrim me Subvencione“, duke përfshirë ndihmën në kryerjen e veprave të lartëcekura.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter