|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon sërish të mbahet gjykimi ndaj 2 policëve të akuzuar për Marrje ryshfeti

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish zyrtarëve policor Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi.

Ish policët Osmani dhe Menxhiqi akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëgjoheshin dy dëshmitarë, por të njejtit edhe pse kishin pranuar ftesat në formë të rregullt nga Gjykata nuk ishin prezent.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Sulltane Hoti konstatoi ndër të tjera se, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës dhe rrjedhimishtë seanca u ndërpre që e njejta të vazhdojë me datën 07.02.2024.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë pranuar ryshfet në këmbim që të mos ndërmarrin veprime për luftimin e lojrave të fatit.

Tutje, në këtë aktakuzë thuhet se takimin e kishte organizuar i akuzuar Menxhiqi, i cili i kishte kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.B dhe D.H, në kafenen “Central”, ku më pas i akuzuari Osmani ka pranuar shumën prej 3 mijë euro nga D.B, me qëllim që të mos pengojë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Kjo shumë e parave, nga të akuzuarit ishte ndarë në dy pjesë, ku secili nga të akuzuarit kanë marrë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro nga kjo shumë ja kanë dërguar kolegut të tyre F.Z, për arsyeje të një rasti tragjik që i kishte ndodhur këtij të fundit.

Me këto veprime, të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari Lutfi Menxhiqi akuzohet edhe për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter