|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për Keqpërdorim të detyrës zyrtare

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu, për Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Tefik Hargaja, për veprën penale Mashtrimi

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka konstatuar se në seancën e sotme prezent ishin të akuzuarit, mbrojtësit e tyre, përfaqësuesi i të dëmtuarës dhe prokurori Halim Borovci.

Seanca ka vazhduar me marrje në pyetje të të akuzuarve.

I akuzuari Zeqir Gashi, ndër të tjera ka deklaruar se nuk ka pasur qasje në kontratë dhe se mallin, respektivisht reduktorët i ka pranuar ashtu siq janë porositur.

Tutje, i akuzuari Gashi në lidhje me specifikat e reduktorëve, respektivisht reduktorit të karrocës, ka deklaruar se fuqia e reduktorit prej 15 kW është një gabim teknik duke konsideruar se fuqia është shumë më e vogël.

I akuzuari Qazim Reqica ka deklaruar se si kryetar i komisionit për pranimin e reduktorëve, me 21 shkurt të vitit 2014, kanë pranuar reduktorë të shiritit, ndërsa sa i përket çmimit të tyre ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe se nuk i intereson komisionit një gjë e tillë.

Në vazhdim të seancës, i akuzuari Rexhep Gashi ka deklaruar se si anëtar i komisionit për pranimin e mallit nuk ka vërejtur ndonjë dallim të specifikave të mallit si dhe i njëjti ka shtuar se operatori ekonomik ka dorëzuar mallin sipas porosisë

I akuzuari Agron Hajrizi ka deklaruar se specifikimin teknik të kontratës lidhur me pozicionet 1  deri në 5 e ka bërë ai, ndërsa nga pozicioni 6 deri në 59 specifikimin e ka bërë ekipi tjetër.

Më tej, seanca ka vazhduar me marrje në pyetje të akuzuarit Nazmi Musliu

I akuzuari Musliu ndër të tjera ka deklaruar se e mbështet deklaratën e dhënë më herët, duke theksuar se kërkesa për blerje të mallit është bërë sipas katalogut te KEK-ut, sipas katalogut të prodhuesit dhe sipas projektit ekzistues lidhur me punën e reduktorëve.

Ndërkaq, i akuzuari Tefik Hargaja, ndër të tjera, ka deklaruar se e mbështetë deklaratën e dhënë më herët, duke theksuar se të gjitha mallrat janë dërguar sipas porosisë.

Lidhur me paraqitjen e fjalës përfundimtare, gjyqtari Arrni ka caktuar seancën e radhës me datën 5 shkurt.

Aktakuza e ushtruar në gjykatë në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën, Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KË nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e regulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrzi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter