|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor në rastin për Krim të organizuar me substanca narkotike

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më datë 7 Shkurt 2024, me gjyqtar Vesel Ismaili (si kryetar) dhe Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani si anëtarë të trupit gjykues, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar lidhur me substanca narkotike.

Në seancën e sotme ishte paraparë marrja në pyetje e të akuzuarit Alban Maloku, dhe me këtë rast deri në përfundimin e dëshmimit nga i lartpërmenduri, i akuzuari Milazim Voci është larguar nga salla e gjykimit.

Në pyetje nga mbrojtësi i tij, i akuzuari Alban Maloku, kishte deklaruar që për punën lidhur me narkotikë ishte marrë vesh për pagesë ‘dikund’ 500.00 Euro, premtuar kështu nga i akuzuari Eroll Marku, e që në fund nuk i ka marrë sepse marrëveshja lidhur me pagesë ishte dakorduar të bëhej pasi “të kryhej puna”. I akuzuari në pyetjet e mëtutjeshme nga Prokurori Special Burim Cerkini, kishte vazhduar të deklaronte kështu që Eroll Markun nuk e ka njohur më herët dhe rastësisht një ditë në një nga Qendrat Tregtare të Prizrenit, brenda një kafeje kishte dëgjuar Erollin duke folur për laborator dhe për nevojën e ndihmës. I akuzuari Alban Maloku, ka shprehur që ekonomikisht ishte në gjendje të rëndë ekonomike dhe i duheshin para, andaj edhe ka shkuar tek tavolina e Eroll Markut ashtu që të bidesonte me të, e ku ky i fundit kishte pranuar të fliste me të.

I akuzuari Alban Maloku u pyet edhe lidhur me dy (2) qeset e zeza me të cilat ishte parë nga video incizimet e siguruara nga Prokuroria Speciale. Në përgjigjet e tij, i akuzuari u deklarua që nuk kishte pasur dijeni të saktë se cka kishte brenda, pasi ai ishte vetëm punëtor aty, megjithatë kishte menduar se kishte jastëk dhe jorgana.

Seanca këtu është ndërprerë për arsye personale të gjyqtarit, ku lajmëroj ndërprerjen e seancës së sotme dhe vazhdimin e saj më datë 14 Mars 2024, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me dt. 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter