|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin e dy ish zyrtareve të Postës së Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuara janë Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti Abazi, të cilat akuzohen për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.

Fillimisht, gjyqtari Agim Kuçi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurores Shenaj Berisha, përfaqësuesit të palës së dëmtuar, të akuzuarave me mbrojtësit e tyre dhe dëshmitarëve.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit S.V.

Dëshmitari, ndër të tjera, ka deklaruar se si anëtar i grupit punues i cili është formuar me qëllim të konstatimit të mungesës së mjeteve, kanë formuar komisionin me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike reale në zyrat postare.

Tutje, i njëjti ka shtuar se komisioni, ka ardhur në përfundim se sportelistët – të akuzuarat, nuk kanë arritur të barazohen, duke theksuar poashtu se për të njëjtat ka munguar një pjesë e dokumentacionit.

Dëshmitarja B.P, ka deklaruar se si arkëtare kryesore në regjionin e Prishtinës, detyra e saj ka qenë t’i tërheq paratë nga NLB Bank, pastaj t’i ngarkoj zyrtaret në zyrën postare, në rastin konkret në zyrën postare numër 10.

E njëjta ka shtuar se paratë janë dorëzuar cash si dhe janë nënshkruar nga zyrtarja e sportelit që i ka pranuar ato.

Dëshmitari N.G, ka deklaruar se qëndron prapa përgjigjeve të cilat i ka dhënë në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor.

Për dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, gjyqtari Kuçi vendosi që të dëgjohen në seancën e radhës, me datën 28 shkurt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 gusht 2018, e akuzuara Fllanza Shabi, në cilësinë e zyrtares së shitjes së PTK-së në Prishtinë, në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti Abazi, si zyrtare e teleshitjes në PTK, akuzohen se me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kishin tejkaluar kompetencat e tyre.

Gjithnjë sipas akuzës, të akuzuarat në periudhën 2009-2012, kanë përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Ëestern Union”, në Postën e Kosovës.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarat se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, e sanksionuar sipas nenit 425 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter