Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu, ndërsa i akuzuari Tefik Hargaja është shpall i pafajshëm për veprën penale “Mashtrimi”.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve, u shpall nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Zeqir Gashi, Qazim Reqica dhe Rexhep Gashi janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një viti, për secilin veç e veç.
Ndërsa, të akuzuarit Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një vit e tetë muaj, për secilin veç e veç.
Sa i përket të akuzuarit Tefik Hargaja, i njëjti është liruar nga akuza.
Aktakuza e ushtruar në gjykatë në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën, Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KË nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.
Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e regulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.
Me këtë, Hajrzi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Ndërsa, Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.
Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani