|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin “Toka”

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Azem Syla dhe të tjerëve të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krimin e organizuar.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti ka konstatuar se në seancën e sotme prezent ishin prokurorja Fikrije Fejzullahu, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Fillmisht, prokurorja Fejzullahu ka kundërshtuar propozimet e mbrojtjes, për plotësimin e provave.

Në koherencë të kësaj, gjykata ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e provave, ashtu që seanca ka vazhduar me marrje në pyetje të të akuzuarve.

Sa i përket të akuzuarit Azem Syla, mbrojtësi i tij, avokat Besnik Berisha, ka kërkuar që mbrojtja e dhënë në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor të jetë pjesë e procesverbalit të seancës së sotme, pasi që nuk ka ndryshuar asgjë në përmbajtje të provave.

Poashtu, prokurorja Fejzullahu ka deklaruar se mbetet pranë pyetjeve të parashtruara në seancat e kaluara.

Pasi që nuk kishte pyetje për të akuzuarin Syla, seanca ka vazhduar me marrje në pyetje të të akuzuarit Shaban Syla, i cili ka zgjedh që të mos deklarojë.

Në këto rrethana, për të vazhduar me marrje në pyetje të të akuzuarve të tjerë, seanca e radhës është caktuar me datën 16 shkurt.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter