|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shtyhet seanca e sotme për falsifikimin e dokumenteve të gjendjes civile në Fushë Kosovë

Sot, më datë 15.02.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca për të akuzuarin Latif Ibrahimi, i akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më datë 24.01.2022, për veprën penale Flasifikim të dokumentit zyrtar.

Trupi Gjykues, i përbërë nga Medie Bytyqi, në cilësi të kryetares, dhe Agim Kuci dhe Gëzim Ademi, si anëtarë, ka hapur seancën në orën që ishte paraparë të mbahet seanca e sotme, dhe ka konstatuar prezencën e palëve. Prokurori i rastit nuk ka qenë prezent, dhe për të në seancën e sotme ka ardhur si zëvendësim Prokurori Armend Hamiti. Prezent ka qenë dhe i akuzuari sëbashku me mbrojtësin e tij. Megjithatë seanca e sotme ka dështuar të mbahet sepse nuk kishte ardhur Nagip Arifi, i përmendur në aktakuzë si personi për të cilën janë shënuar të dhënat e rrejshme në dokumente zyrtare, i cili kishte njoftuar Gjykatën, se ai ka aplikuar në Komunën e Fushë Kosovës me të dhëna të sakta dhe nuk ka asgjë të rreme sa i përket aplikacionit të tij.

Prokurori i Shtetit propozoi shtyerjen e seancës me qëllim që dokumentet e dorëzuara në gjykatë, të shqyrtohen dhe më pas të njotftohet për sqarim trupi gjykues.

Gjykata ka shprehur ndër të tjera që parashtresa e sotme e Nagip Arifit nuk mund të pranohet si provë, pa qenë prezent i njëjti në seancë. Mirëpo, gjithsesi propozimi i Prokurorisë është aprovuar dhe seanca e sotme është shtyer për kohë të pacaktuar deri në pranimin e deklarimeve të Prokurorisë.

Latif Ibrahimi, është akuzuar lidhur me veprën e lartcituar sepse në cilësinë e personit zyrtar si Zyrtar i gjendjes civile në Zyrën e Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës në Fushë Kosovë, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe në dokumentin zyrtar ka shënuar të dhëna të rreme për personin Nagip Arifi në librin amzë, në vitin 2005, si dhe në vitin 2017 e ka regjistruar në sistemin elektronik në regjistrin qëndror me qëllim që t’i mundësojë marrjen e dokumentit personal në Republikën e Kosovës dhe personi është pajisur me letërnjoftim, të lëshuar më datë 17.03.2017 deri më 16.03.2027. Mirëpo, pas verifikimit nga zyrtarët, nuk është gjetur lënda bazë e regjistrimit, si dhe pas verifikimit të prindërve të tij në sistem elektronik, nuk janë gjetur të regjistruar, me c’rast Zyra e Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës në Fushë Kosovë ka marr vendim për aulimin e këtij regjistrimi.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohen i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter