|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Gjykata merr vendim përfundimtar për rastin e ish-drejtorit të sekretariatit të KPK-së

Sot, më datë 16 Shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, e përbërë nga trupi gjykues, Alban Ajvazi në cilësi të kryetarit, Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi, në cilësi të anëtarëve, ka vendosur përfundimisht në shkallë të parë, lidhur me rastin e të akuzuarve Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda.

Rikujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 13 gusht 2021, në dispozitivin e parë, ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, së bashku me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, akuzohet se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”. Në dispozitivin e dytë të aktit akuzues, Marigona Berisha, dhe në dispozitivin pasues, Ardian Krasniqi, akuzohen se veç e veç e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Tutje, në pikën katër të aktakuzës, Prokuroria pretendon se nga veprimet e tyre, Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Lavdim Krasniqi gjithashtu akuzohet se në bashkëkryerje me Flora Dodën, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas veprimeve inkriminuese të përcaktuara në dispozitivin nr.5.

Ish-Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, në këtë aktakuzë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë akuzohet edhe për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Në dispozitivin e fundit të aktit akuzues, Marigonë Berisha akuzohet edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”.

Për Ardian Krasniqin është vecuar procedura në seancat paraprake.

Lidhur me veprat penale se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Ushtrimit të ndikimit”, “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i njëjti është liruar nga akuzat. Për veprën e fundit, që ka qenë i akuzuar sëbashku me Flora Dodën, edhe kjo e fundit gjithashtu është liruar nga akuza.

Marigona Berisha, lidhur me veprat që është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është liruar nga akuza vetëm për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”. Ndërsa për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 3,000.00 Euro. E njëjta gjithashtu është detyruar në pagimin e shpenzimeve gjyqësore.

Në shpalljen e sotme, Gjykata arsyetimin lidhur me lirimin nga akuzat për të tre të akuzuarit, si arsyetim momentalisht ka dhënë se nuk është provuar se kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar nga Prokuroria.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter