|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallen fajtor dy të akuzuarit tek ‘Subvencionet IV’

Sot, më datë 16 Shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, me gjyqtar Mentor Bajraktari, ka vendosur përfundimisht në shkallë të parë, lidhur me rastin e dy të akuzuarve që kanë pranuar fajsinë në rastin ‘Subvencionet IV’.

Rikujtojmë që në seancën e kaluar gjyqtari i rastit me aktvendim ka pranuar fajsinë e të akuzuarve Gjon Musolli, për shkak të veprës penale ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Mashtrim me subvencione’, si dhe ndaj të pandehurit Halit Berisha për shkak të veprës penale ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Mashtrim me subvencione’ duke veçuar kështu procedurën penale ndaj dy të akuzuarve të lartëcekur. Shpalljen lidhur më të akuzuarit e lartpërmendur, gjykata e kishte lajmëruar ditën e sotme.

Gjykata shpalli të akuzuarit e lartpërmendur fajtor për veprat penale të sipërcituara, dhe këtë e bëri si rezultat i pranimit të fajsisë nga ana e të akuzuarve në shqyrtimin fillestar, të bërë kështu në prezencën e mbrojtësve, dhe po ashtu ky pranim fajsie ishte mbështetur në provat dhe faktet që i ishin bashkangjit aktakuzës.

Megjithatë, lidhur me caktimin e dënimit, Gjykata sipas detyrës zyrtare ka caktuar seancë. Këtë seancë, Gjykata e ka lajmëruar më datë 13 Mars 2024, në ora 09:30.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), thuhet se të akuzuarit në këtë rast janë: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Halit Berisha, Gjon Musolli dhe Lulzim Hajdaraj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, 10 të akuzuarit të gjithë së bashku dyshohet se kanë kryer veprat penale “marrje ryshfeti”, “ushtrim ndikimi”, “mashtrim në detyrë”, “ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “dhënie ryshfeti”, si dhe “mashtrim me subvencione”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter