|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Në mungesë të dëshmitarit ndërpritet gjykimi ndaj ish-zyrtarit të AKI-së, i akuzuar për korrupsion dhe vepra tjera penale

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku ish-zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Muhamed Krasniqi, po akuzohet për Korrupsion dhe vepra tjera penale.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Foniqi deklaroi se mungon dëshmitari A.K, për të cilin përfaqësuesi i tij, avokati Eset Mazrekaj me shkresën e datës 7 nëntor 2023 e ka njoftuar gjykatën se i njëjti gjendet jashtë vendit, meqë rast gjykata ka tentuar të realizoj lidhjen me videolink, mirëpo sipas zyrtarit të IT-së Jeton Dakaj është theksuar se deri në muajin maj nuk ka mundësi teknike për lidhje përmes internetit.

Poashtu u konstatua ndryshimi i përbërjes së trupit gjykues, ku në vend të gjyqtarit Kushtrim Shyti, i cili është avancuar, tani pjesë e trupit gjykues do jetë gjyqtari Ertan Sejfulla.

Përveç kësaj nga ana e gjyqtarit Foniqi u konstatua edhe kalimi i më shumë se gjashtë muajve nga mbajtja e seancës së fundit, meqë rast filloi rishtazi shqyrtimi gjyqësor, e ku me pajtimin e palëve në procedurë u konstatuan të lexuara veprimet e marra deri më tash.

Prokurori i Shtetit Zejnullah Gashi, si dhe mbrojtësit e të akuzuarit Krasniqi, avokatët Florent Latifaj dhe Fanol Krasniqi deklaruan se është me rëndësi dëgjimi i dëshmitarit Krasniqi, mirëpo si pasojë e pamundësisë së pranisë së tij fizike, e në anën tjetër pamundësisë së marrjes së masave konkrete nga gjykata për mundësimin e kyçjes me videolink në seancën e sotme, trupi gjykues nxori aktvendim për ndërprerje të seancës së sotme, ndërsa seanca e radhës do mbahet pas krijimit të kushteve për dëgjimin e dëshmitarit A.K.

Kujtojmë se seanca e fundit e mbajtur më 4 korrik 2023 kishte dështuar të mbahet po për të njëjtën arsye, për shkak të mungesës së dëshmitarit A.K.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter