Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca ndaj të akuzuarave Mimoza Beqiri, Behare Bajramin, Ardian Hamitin dhe Betim Ismailin, të cilët po akuzohen për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medije Bytyqi ka konstatuar se prezent në këtë seancë kanë qenë prokurori Halim Borovci, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre. Në seancën e sotme, janë dëgjuar tre dëshmitarë.
Lidhur me procesin e regjistrimit të studentëve në UP, në pyetjen e prokurorit Halim Borovci, dëshmitari theksoi se është takuar me tani të akuzuarin Ardian Hamiti dhe po ashtu shtoi se nga ai ka marrë një premtim se vajzën e tij do ta regjistrojë në fakultet.
Mbrojtësi i të akuzuarës Behare Bajrami, avokat Leutrim Himaj, lidhur më cështjen se a e njeh të njejtën apo a është përmendur ndonjëherë nga vajza e tij, dëshmitari shtoi se nuk e njeh dhe nuk e ka dëgjuar ndonjëherë të jetë përmendur emri i saj. Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës së dytë.
Në lidhje me arsyen e mos-regjistrimin në UP, në pyetjen e prokurorit Halim Borovci se pse nuk jeni regjistruar, dëshmitarja shtoi se ka aplikuar në kohë por nuk është pranuar dhe njëkohësishtë shtoi se ka qënë shumë e zhgënjyer lidhur me mos pranimin e saj në Fakultet.
Tutje, dëshmitarja shtoi se nga babai i saj është njoftuar se tani i akuzuari Ardian Hamiti, do t’i ndihmojë që të regjistrohet në Universitet, pastaj ka filluar dhe ka shkuar përafërsisht një muaj. Ndër të tjera, dëshmitarja shtoi se nuk ka mbajtur asnjë ligjeratë sepse nga Fakulteti i kanë thënë se nuk jeni në listë të studentëve.
Shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të tretë.
Lidhur me cështjen e takimit me të pandehurën Mimoza Beqiri, në pyetjen e avokatës Arlinda Avdimetaj Fejzullahu dhe rreth mundësisë për t’i ndihmuar lidhur më regjistrimin, dëshmitari shtoi se Mimoza i ka thënë se mund t’i ndihmojë që të regjistrohej në Fakultet.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarës Behare Bajrami, avokat Leutrim Himaj, ka vazhduar me ballafaqimin e dëshmitarit me deklaratën e tij të dhënë në polici lidhur me ankesën për mosregjistrimin e tij, dëshmitari shtoi se ankesa nuk është bërë nga i njejti, ai shtoi se ka menduar se do të regjistrohej përmes ankesës së bërë nga Ardiani, Mimoza dhe Beharja.
Ndërsa, lidhur me atë se a i është kërkuar nga e pandehura Behare ndonjë shumë e parave apo ndonjë premtim se do të regjistrojë në Fakultet, në pyetjen e avokat Leutrim Himaj, dëshmitari shtoi se nuk i kishte kërkuar ndonjë shumë të hollave e njëkohësishtë nuk i kishte premtuar rreth regjistrimit në Fakultet.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 22 mars nga ora 09:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme. Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve’’.
E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare. Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi ka mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta ka përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim.
Behare Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurën Mimoza Beqiri, kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.
Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.
Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha