|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dënohet me gjobë dhe burgim zyrtari i QRA-së i akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të akuzuarit Besart Gashi me datë 13.02.2024 është shpallur aktgjykim dënues për veprat penale Falsifikimi i dokumenteve dhe Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa me datë 20.02.2024 është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e dënimit. Kështu që, këtë të mërkurë është dhënë shpallja e dënimit.

Shpalljen e dënimit e bëri gjyqtari Ilir Rashkaj, raporton ‘’Drejtësia Sot’’.

I akuzuari Besart Gashi është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajsh si dhe dënimi me gjobë dhe atë 4000€.

Gjithashtu të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës në afat prej dy vite.

Të akuzuarin Gashi gjykata gjithashtu e ka obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7. Ku në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5,700 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij. Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VË”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje: kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter