|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve, ku u dëgjuan dëshmitarët R.M dhe D.Ll.

Në dëgjimin e dëshmitarit të parë, në pyetjt e prokurorit Burim Çerkini lidhur çështjen penale në fjalë, dëshmitari deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në vitin 2017 në Policinë e Kosovës.

Lidhur me punësimet e 100 personave të cilët kanë marrur pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës, mirëpo nuk janë paraqitur fare në vendin e punës, dëshmitari deklaroi se ka pasur vetëm informacione për këtë mirëpo nuk ka parë një gjë të tillë personalisht.

Përveç kësaj lidhur me pishinën deklaroi se ka filluar të ndërtohet në atë kohë, ku është ndërtuar vetëm një pjesë dhe sot e asaj dite nuk është përfunduar ende dhe se nuk e dinë arsyen për këtë.

Në vazhdim të seancës u dëgjua edhe dëshmitari i dytë D.Ll, ku deklaroi se ka punuar në vitin 2015 për disa muaj si zyrtar i prokurimit, i cili kishte ndjekur trajnime sipas sistemit të Republikës së Kosovës, por që për shkak të mungesës së njohurive rreth ligjeve të Kosovës, si dhe njohjes së gjuhës shqipe kishte dhënë dorëheqjen.

I njëjti u deklarua se nuk ka njohuri lidhur me atë se kush e ka fituar tenderin 2.1 milionë euro për ndërtimin e shtëpive në Komunën e Leposaviqit, mirëpo lidhur me pyetjen e të akuzuarit Bojan Banoviq rreth punësimit të tyre nga sistemi i Republikës së Kosovës deklaroi se nuk kanë pasur qasje në ndërtesën e komunës për arsye politike dhe kanë zhvilluar punën në një objekt tjetër, në një zyre të vetme.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës do të mbahet me datë 28 shkurt 2024, nga ora 09:30, ku do prezantohen provat nga prokurori i shtetit, si dhe do të bëhet dëgjimi i ekspertit.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter