|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dy dëshmitarët e radhës në rastin ndaj mjekut ortoped i akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dëgjuar dy dëshmitarë në rastin e mjekut ortoped Sabit Sllamniku,  i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se në dy raste kishte kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Në dëgjimin e dëshmitarit të parë Sh.B, udhëheqës i departamentit të financave në QKUK-ë, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Sllamniku, avokatit Driton Muharremi lidhur me pagesat e ekspertëve deklaroi se pagesat gjykata i realizon në llogaritë personale të ekspertëve, pasi kjo çështje ende nuk është rregulluar në nivel të QKUK-së dhe se deri më tash nuk ka njohuri që është realizuar ndonjë pagesë e ekspertëve mjeksor nga xhirollogaritë e QKUK-së tek ekspertët.

Poashtu i njëjti theksoi se QKUK-ja ka sistemin e vet dhe nuk ndodh që pacienti të paguan direkt në duart e një personi, mirëpo vetëm përmes zyrtarit, njëkohësisht se aktvendimet dhe aspektet tjera ligjore qëndrojnë, mirëpo veprimet nuk janë në përputhje me to, pasi pagesë prej 300 euro tek ekspertët mjekësor nuk ka pasur asnjëherë në llogarinë e QKUK-së.

Ndërsa dëshmitari i dytë, avokati Fatbardh Makolli i cili ka përfaqësuar lëndën e të dëmtuares F.K, deklaroi se për pagesë tek ekspertët mjekësor i ka orientuar vet palën pasiqë kjo ka qenë praktikë dhe se aktvendimin e gjykatës se për këtë rast ekspertiza mbulohet nga shpenzimet e gjykatës dhe paguhet tek QKUK-ja deklaroi se nuk e ka pranuar asnjëherë nga gjykata një aktvendim të tillë.

Në vazhdim të deklarimit të tij në pyetjet e trupit gjykues, theksoi se asnjëherë në përvojën e tij nuk ka pasur palë që lirohet nga obligimi për pagesën e ekspertizës.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me paraqitjen e provave materiale nga prokurori Zefë Prendrecaj, si dhe nga mbrojtja.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 30 prill 2024, nga ora 09:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, e ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro.

Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.

Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter