|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca në rastin e shtatë të akuzuarve për Krim të Organizuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për Krim të Organizuar lidhur me substanca narkotike.

Në seancën e sotme u paraqit mbrojtja e të akuzuarit Alban Maloku si dhe Milazim Voci, ndërsa i akuzuarit Ertan Dacic u mbrojt në heshtje.

‘Kërkoj shumë falje për veprën që e kena ba, jam shumë pishman’, deklaroi i akuzuari Maloku në paraqitjen e mbrojtjes së tij.

Ndërsa i akuzuari tjetër Milazim Voci, në paraqitjen e mbrojtjes së tij, përkatësisht në pyetjet e mbrojtësit Leutrim Himaj deklaroi se ishte detyruar ta shiste ose ta jepte me qera mullirin për shkak të pamundësisë së menaxhimit si i vetëm dhe për këtë arsye deklaroi se i kishte lëshuar me qera mullin e tij Aleksandër Nastevski nga Maqedonia e Veriut, për të cilën qera paguante 1800 euro në muaj.

Se pse mulliri nuk ishte rifunksionalizuar, i akuzuari deklaroi se Nastevski i kishte deklaruar se për shkaqe shëndetësore nuk po mund të rifunksionalizojë njëherë dhe se do t’i vendosë disa aparate të ‘Bitcoin’ deri sa të fillojë punën me mulli.

Po ashtu në mbrojtjen e tij, Voci theksoi se po ta dinte se mulliri do të keqpërdorej nuk do ta lidhte kontratën fare, apo se do të lajmëronte policinë nëse do kishte dijeni për veprimtarinë e kundërligjshme të ushtruar brenda mullirit ‘Voci’.

Duke marrë parasysh që i akuzuari Voci në një pjesë të deklarimit të tij vendosi të mbrohej në heshtje, prokurori i rastit Burim Çerkini kundërshtoi një gjë të tillë, duke theksuar se është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Apelit se nuk mund që i pandehuri një pjesë të deklarohet ndërsa një pjesë të mbrohet në heshtje, duke kërkuar nga trupi gjykues që të fshihen në procesverbal deklarimet e mëhershme ose të deklarohet i akuzuari edhe në pyetjet e prokurorit, propozim të cilin trupi gjykues e refuzoi me aktvendim.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet më datë 25 mars 2024, nga ora 13:30, ku do të paraqiten fjalët përfundimtare të palëve në procedurë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me datë 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter