|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon seanca ndaj të akuzuarve për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarave Mimoza Beqiri, Behare Bajramin, Ardian Hamitin dhe Betim Ismailin, të cilët po akuzohen për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medije Bytyqi ka konstatuar se prezent në këtë seancë kanë qenë prokurori Halim Borovci, të akuzuarit Ardian Hamiti, Mimoza Beqiri, Behare Bajrami dhe mbrojtësit e tyre.

Për shkak se ka munguar i akuzuari Betim Ismaili, seanca e sotme, e paraparë për të vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, ka dështuar të mbahet.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Ismaili, mbrojtësi i tij ka njoftuar gjykatën se për shkaqe shëndetësore, i mbrojturi i tij nuk mund të marrë pjesë në seancën e sotme.

Në pamundësi të kushteve ligjore për të vazhduar më tutje, gjyqtarja Bytyqi ka caktuar seancën e radhës me datën 3 prill.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.

E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.

Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim.

Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.

Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.

Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.

Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter