Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, ka sipas agjendës janë lexuar provat materiale në rastin ku të akuzuar janë noteri Bedri Godanci për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi, po ashtu i njëjti akuzohet edhe si bashkëkryerës me të pandehurit Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, më pas i pandehuri Besart Godanci ngarkohet për veprën penale dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, si dhe të pandehurit Elmi dhe Bali akuzohen për Mashtrim.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor janë lexuar provat materiale dhe më pas është vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit të parë sipas akuzës noteri Bedri Godanci.
Gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari Bedri Godanci ndër të tjera ka thënë se, profesionin e noterit e ushtron që nga viti 2014, ku gjatë kësaj periudhe nuk ka pas ndonjë vërejtje. Sa i përket autorizimit që cilësohet si i falsifikuar, i akuzuari ka thënë se në zyrën e tij ka ardhur i pandehuri Elmi, data nuk i kujtohej por lidhet me datën e autorizimit, ku nga ai është kërkuar që të përpilojë një autorizim të përgjithshëm me të cilin do ta autorizonte vëllai i tij D.A, Baliun pasi që D.A gjindej në vuajtje të dënimit dhe në atë periudhë ishte në vikend në shtëpi, dhe përshkak se ishte në gjak dhe nuk mund të vinte në zyre për shkaqe të sigurisë. Gjatë deklarimit shton se, i ka besuar këtu të pandehurit Bali pasi që e ka njohur dhe më parë dhe ka përpiluar autorizimin dhe përshkak të vëllimit të punëve i ka thënë puntorit të tij që të shkoj në shtëpinë e tyre për nënshkrimin e autorizimit, puntori ka shkuar dhe pasi që është kthyer e ka pyetur se ka shkuar gjithçka në rregull dhe sipas punëtorit të tij gjithçka ka qenë në rregull. Në bazë të këtij autorizimi janë kryer veprimet. I akuzuari Godanci ka thënë se në gusht të vitit 2019 kur D.A e ka kontaktuar përmes telefonit ka kërkuar që t’i dergojë kopjen e autorizimit, meqenëse ka dyshuar që nuk ishte diçka në rregull, ku të nesërmen ia ka dërguar autorizimin përmes viber, dhe D.A ka thënë se këtë autorizim nuk e ka në shkruar ai, dhe më pas ai ka ndërprerë të gjitha veprimet që kanë pas të bëjnë me atë autorizim. Ka pohuar faktin që këtu i dëmtuari D.A ka qenë në zyren e tij pasi që i është dorëzuar autorizimi, ka hyrë shpejtë dhe ka qendruar vetëm 1 minutë as nuk është ulur me ka thënë ‘’çka ke bërë’’, mirëpo sipas të akuzuarit ai ishte i bindur se ai e ka nënshkruar atë autorizim, dhe i ka thënë se ‘’ti vet e ke nënshkruar autorizimin’’ dhe D.A ka dal prej zyres. Tutje, i akuzuari Bedri ka sqaruar se të gjitha shkrimet dhe aktet noteriale duke përfshirë edhe faturat i nëshkruan personalisht.
Më pas prokurorja e shtetit Sahide Gashi ka kërkuar që të ndërpritet seanca pasi që e sheh të rëndësishme që të dëgjohet ndonjë zyrtar nga ekipi të mendimit të dhënë nga Oda e Noterëve për të sqaruar dhe një herë lidhur me këto rrethana në mënyrë që a ka ndonjë dispozitë ligjore që i lejon noterit që përmes asistentit të tij jashtë zyrës noteriale për të marr një nënshkrim si në rastin konkret të autorizimit.
Pas këshillimit, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e prokurores, kështu që në sesionin e pasditës është dëgjuar Kryetari i Odës së Noterëve të Kosovës, Shpend Haskaj i cili është kontaktuar nga gjykata që të vijë sot.
Gjatë deklarimit të tij kryetari i odës Shpend Haskaj ka thënë se, kërkesa e prokurorisë e datës 28.12.2021 për të dhënë një mendim profesional ka marr pjesë pasi që në kryesi kanë qenë 5 persona e njëri ndër ta ka qenë edhe kryetari tashmë, ka marr pjesë në konsultime dhe biseda. Gjithashtu ka sqaruar se me kërkesën e organeve shtetërore, kryesia e Odës së Noterëve nuk interpreton ligjet mirëpo vetëm jep opinion lidhur me rastin konkret apo me ndonjë akt ligjor e kurrësesi interpretim, interpretimin e bën vetëm Gjykata Kushtetuese, sipas praktikës është bërë që të ipet mendim profesional të ipet përgjigje lidhur me ndonjë kërkesë konkrete. Tutje ka sqaruar se, përpilimin e aktit mund ta bëjë bashkëpuntori, si në zyre ashtu edhe jashtë zyres duhet të jetë noteri prezent për marrjen e nënshkrimit nga klienti, mirëpo kërkesat janë shumë të mdha dhe ndonjëherë ndodh i paralizuari, i sëmuri është jashtë zyres, asistenti mund të shkoj e identifikon, e verifikon kthehet i tregon noterit dhe mandej noteri shkon e mer atë dhe e nënshkruan, por me kërkesën e palës varësisht nga situata paraprakisht mund të përgatitet akti noterial apo nëse ekzistojnë mundësit teknike e përgatit në vendin ku shkon si identifikimi dhe nënshkrimi duhet të bëhet në prani të noterit, për ta përpiluar një autorizim, bëhet pas një bisede me klientin dhe i lexohet, ndërsa në rastet kur është ndonjë i burgosur dhe është në qendër të paraburgimit akti përgatitet kur i jep të dhënat familjari dhe po në rastin konkret me kusht që t’i lexohet para nënshkrimit.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, e datës 29 qershor 2022, i pandehuri Bedri Godanci akuzohet se me 13 qershor 2017 në Klinë, si noter në vazhdimësi nuk i kishte përmbushur detyra e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj. Ku sipas aktakuzës Godanci akuzohet se kishe përpiluar dhe vërtetuar me nënshkrim dhe vulë autorizimin LRP.nr.3109/2017, kinse për të dëmtuarin Deli Arifaj si autorizues edhe pse i dëmtuari nuk kishte qenë prezent dhe nuk kishte pasur dijeni për këtë autorizim, ku përmes këtij autorizimi e autorizonte Bali Arifajn për shitjen e të gjithë patundshmërive të evidentuara në emër të biznesit të dëmtuarit “Florimi Trans” si dhe patundshmërive të evidentuara në emrin e tij në Klinë, që sipas Prokurorisë e tejkalojnë vlerën prej 1 milion euro, si dhe të drejtën të ngarkojë në hipotekë në patundshmëri.
Po në këtë datë, i pandehuri lidhë kontratë për hipotekën me bankën BKT dhe përmes këtij autorizimi të përfitojnë shumën prej 250 mijë eurove në emër të kredisë nga BKT.
Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze të pandehurin Godanci e ngarkon se më 28 janar 2019 kishte përpiluar kontratat e shitblerjes që i pandehuri Bali i kishte bërë me personat tjerë përmes autorizimit të falsifikuar në emër të Deli Arifajt, në atë mënyrë që, noteri e përpilon kontratën LRP nr.641/2019 të shitblerjes në emër të Bali Arifajt, kinse i autorizuar i shitësit, të dëmtuarit Deli Arifaj dhe blerësit Nysret Mustafaj për pronën në sipërfaqe prej 500m2 Zona Kadastrale në Dresnik dhe pronën 1829m2 , duke i mundësuar të pandehurve Elmi dhe Bali Arifaj përfitim të shumës prej 143 mijë euro,
Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 e nenin 81 të KPRK-së.
Në këtë aktakuzë gjithashtu prokuroria i ngarkon në bashkryerje të pandehurit Bedri Godanci, Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për falsifikim të dokumentit zyrtar, ku sipas aktakuzës noteri Godanci me marrëveshje me të pandehurit tjerë i ka mundësuar të pandehurit Sinan të falsifikojë dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme dhe atë autorizimin LRPnr.3109/2017, me ndërmjetësimin e të pandehurit Elmi dhe Bali ia dërgon autorizimin në fjalë të pandehurit Sinan, i cili po qëndronte në shtëpinë e të pandehurit Elmi, e pasi i njëjti e falsifikon nënshkrimin e të dëmtuarit Deli në të, i pandehuri Bedri e vërteton nënshkrimin e vulë autorizimin në fjalë.
Me këtë, akuzohen se si bashkëkryerës të pandehurit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 31 të KPRK-së.
I pandehuri Besart Godanci akuzohet se në cilësi të asistentit noterial më 13 qershor 2017 ndihmon në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Thuhet se i pandehuri në marrvëshje me të pandehurit Bedri e Elmi Arifaj e dijeninë e të pandehurit Bali, autorizimin të cilin e kishte përpiluar paraprakisht i pandehuri Bedri, e dërgon në shtëpinë e të pandehurit Elmi për t’u nënshkruar i pandehuri Sinan në vend e pa dijeninë e të dëmtuarit Deli Arifaj, me të cilin autorizimin kinse i dëmtuari Deli e ka autorizuar të pandehurin Bali për shitjen e të gjitha pronave të tij dhe bartjen e tyre në hipotekë,
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 33 të KPRK-së.
Gjithashtu të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj akuzohen se më 13 qershor 2017 në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në vazhdimësi me marrëveshje parapake, me paraqitje të rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë vënë në lajthim zyrtarët e bankës në dëm të pasurisë së saj, duke prezantuar autorizimin e falsifikuar kinse si autorizues Deli Arifaj dhe përfitojnë 250 mijë euro në emër të kredisë duke lënë peng patundshmëritë e të dëmtuarit Deli, e të cilën kredi nuk e paguajnë. Po ashtu, të njëjtit ngarkohen se kishin hyrë në raporte të shitblerjes me pronat e të dëmtuarit Deli.
I pandehuri Elmi Arifaj akuzohet se më 18 korrik 2018 në Klinë, edhe pse ishte i vetdijshëm se pronat ishin në emër të Deli Arifajt në regjistra kadastral, ia shet pronat sipas kontratës mbi shitblerjen këtu të dëmtuarit Nysret Mustafa përmes babait të tij për shumën prej 260 mijë euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi “, nga neni 335, par.2 e 4 e lidhur me par.1 me nenin 31 e 81 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi