|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca në rastin “Stenta 3”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor, ndaj të akuzuarve Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurores Arbresha Shala, të akuzuarve, mbrojtësve të tyre dhe dëshmitarëve.

Pasi që të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale për të cilat akuzohen, seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës hyrëse nga ana e palëve në procedurë.

Prokurorja Shala, në fjalën hyrëse, ka deklaruar se pas administrimit të provave personale dhe materiale do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktin akuzues.

Në anën tjetër, mbrojtja e kanë kundërshtuar aktin akuzues, duke konsideruar se është pa mbështetje në prova, dhe se në fund të shqyrtimit do të vërtetohet e kundërta e aktit akuzues.

Për dëgjimin e dëshmitarëve, gjyqtari Ajvazi ka caktuar seanca e radhës me datën 26 mars.

Ndryshe sipas aktakuzës, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.

Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.

Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.

Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.

Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter