|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Fillon shqyrtimi gjyqësor, pas kthimit të rastit në rigjykim, për doganierët e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e parë për të akuzuarit – doganierët Artan Ferati dhe Besnik Beshi, pas kthimit të cështjes në rivendosje nga Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit të datës 13 Korrik 2023. I akuzuari Artan Ferati ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv, të cilit i ishte zëvendsuar me dënim me gjobë prej 3,000.00 Euro, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa të akuzuarin Besnik Beshi, e kishte liruar nga akuza për falsifikimin e dokumentit zyrtar pasi që për të njëjtin nuk kishte prova se e kishte kryer veprën penale.

Në hapjen e seancës së sotme, pas kthimit të rastit në rigjykim, palët prezente mbetën pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të mëparshëm, respektivisht të datës 18 Janar 2021. Propozime të reja patën vetëm Prokurori i Shtetit, Zef Prendrecaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Artan Ferati, Avokati Florent Latifaj, të cilët propozuan që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve F.H dhe D.A. Këto propozime u aprovuan nga Trupi Gjykues i përbërë nga Alltëne Murseli, në cilësi të kryetares, Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri, në cilësi të anëtarëve.

Seanca e radhës është caktuar më datë 24 Maj, në ora 09:15.

Bashkë me të pandehurit Beshi dhe Ferati janë akuzuar edhe avokati Xhevdet Rama dhe punëtori i kompanisë “Bashkimi”, Avdullah Latifi, për të cilët, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur mes tyre dhe prokurorisë.

Më 22 mars 2019, Rama ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, i cili dënim ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2 mijë e 500 euro.

Kurse, i akuzuari Latifi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Edhe dënimi me burgim ndaj tij është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro.

Përveç tyre, të akuzuar kishin qenë edhe Flamur Hoti e Selatin Krasniqi. Hoti akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve. Ndaj të njëjtëve, ishte hudhur poshtë aktakuza dhe kishte pushuar ndjekja penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2016, Xhevdet Rama me dashje kishte ndihmuar doganierin Artan Ferati për të kryer vepër penale me vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale.

Siç thuhet në aktakuzë, më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjellë me veturën e tij furgonin që e kishte drejtuar, i akuzuari Selatin Krasniqi, me vetëdije të plotë e kishte transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë.

Më pas, thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2 mijë e 880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, me pronar Bashkim Latifin, me dëshirë që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizik i kishin nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kishin dërguar te presa, ku ato ishin asgjësuar.

Tutje, thuhet se paketat tjera nuk ishin shkarkuar nga furgoni dhe me to ishte larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.

Pastaj, sipas aktakuzës, këtë furgon e kishin ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit kishin gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.

Ndërkaq, i akuzuari Latifi po dyshohet se së bashku me të akuzuarin Artan Ferati, si persona zyrtarë kishin shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kishin përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kanë bërë më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP ”Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale.

E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.

Të akuzuarin Latifi, prokuroria e ngarkonte me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ramën e akuzonte për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale. 

Pas ankesës së parashtruar nga Prokuroria e Shtetit dhe vetë palës së pandehur të shpallur fajtore, ndaj vendimt të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit kishte vendosur më datë 13 Korrik 2023, përmes Aktvendimit PAKR.nr. 76/2023, ashtu që cështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter