Procesi gjyqësor në rastin ‘Subvencionet 1’ ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit tjetër të radhës A.G, i cili dëshmoi lidhur me rastin ku Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj akuzohen nga Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprave penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Mashtrim me subvencione”.
Fillimisht marrja e dëshmisë së dëshmitarit A.G u kontestua nga ana e mbrojtjes për shkak që i njëjti ka qenë i pandehur dhe pastaj është shpallur dëshmitar bashkëpunues dhe se mbrojtja nuk janë pajisur me dy deklaratat e tij në Prokurori dhe Polici, mirëpo trupi gjykues nxori aktvendim për dëgjimin e dëshmitarit, ndërsa ndaloi referimin e deklarimit si i pandehur në deklaratën e dhënë para prokurorit special në atë kohë.
Tutje, në dëshminë e tij, në pyetjet e prokurorit special Rafet Halimaj, dëshmitari deklaroi se kishte përfituar subvencion për të mbjellat me çaj, mirëpo nuk ishte alokuar mbështetja financiare dhe se në paraqitjen në AZHB-ë kishte takuar tashmë të akuzuarin Sadat Shkodra, i cili për të rregulluar problemin për mosalokimin e subvencionit kishte kërkuar ryshfet në vlerë 3000 euro, e të cilat dëshmitari theksoi se i kishte dhënë në lokacionin ‘Royal Mall’ në Prishtinë, nga subvencioni i vendimit të parë që ishin alokuar në llogarinë e tij bankare.
Ndërsa në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Totaj, lidhur me arsyen e dhënies së parave, dsëhmitari deklaroi se ato i kishte dhënë nga zori dhe se është në dijeni se nuk është veprim i duhur dhe se kjo përbënë vepër penale, mirëpo ka pasur interesin për të mbjellat, deklaroi dëshmitari A.G.
Seancat e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 25 prill, nga ora 09:30.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon
Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, të cilët kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti