|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj noterit të akuzuar për Korrupsion

Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj noterit Bashkim Stavileci i cili po akuzohet për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor prokurorja e shtetit Valbona Disha-Haxhosaj i propozoi gjykatës që si palë të dëmtuar të ftohen dhe M.V.D, M.Z.D dhe M.T, pasi që e njëjta sqaroi se meqenëse nuk ka qenë përpiluese e aktit akuzues dhe akuza i është ndarë për punë në shqyrtim gjyqësor, pas analizimit të shkresave të lëndës dhe pas konsultimit me përfaqësuesin e të njëjtëve ka gjetur se të lartcekurit duhet të ftohen dhe të dëgjohen si të dëmtuar. Ku këtë propozim nuk e ka kundërshtuar asnjë palë.

Trupi gjykues pas konsultimit mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e përbashkët të palëve, që statusin e të dëmtuarit ta marin M.V.D, M.Z.D dhe M.T.

Më pas është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.K, i cili ndër të tjera ka deklaruar se, me të dëmtuarin L.B njihen që nga fëmijëria, në vitin 2020 i dëmtuari L.B e ka pyetur se a ka ndonjë tokë me e shit, dhe dëshmitari i ka treguar që një person me emrin Musë shet tokë në fshatin Vitomericë, kështu që një ditë më vonë në një çajtore ishin takuar, ku i dëmtuari L.B dhe personi me emrin Musë kanë vazhduar muhabetin e tyre sa i përket tokës. Dëshmitari tregon se të dëmtuarin e kishte udhëzuar që të shkojë tek noteri Bashkim Stavileci që të shiqojë se a janë në rregull dokumentat për t’u siguruar se a është gjithçka në rregull, pasi që aty edhe është kryer trashëgimia. Dëshmitari shton se, ka biseduar me të dëmtuarin L.B dhe i njëjti i ka thënë se gjithçka ishte në rregull. Ku pas një muaji pasi janë kryer pagesat e tokës i dëmtuari L.B ka shkuar tek dëshmitari duke i thënë se dokumentacionet nuk ishin në rregull pasi që prona ka qenë në pronësi të serbëve.  Dhe në fund shton se, ka marr 2000€ nga i dëmtuari L.B dhe 1000€ nga Musa, kur është bërë bartja e tokës, pasi që i njëjti ishte si ndërmjetësues mes shitësit dhe blerësit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bashkim Stavileci, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës së noterit në zyrën e tij në Pejë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për personin tjetër-shitësin Musa Kuqi, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Noterinë. Ai kishte mundësuar përpilimin e kontratës për shitblerjen e patundshëmrisë në mes të shitësve M.R.D, M.Z.D, M.V.D dhe M.V.T, të cilët i ka përfaqësuar M.K, në bazë të autorizimit bartës të vërtetuar nga noterja Nina Stiglicnë në Beograd, në njërën anë e në tjetrën dhe blerësit- të dëmtuarit L.B, F.H dhe S.I në anën tjetër, duke i’a shitur pronën për shumën prej 90 mijë euro.

Ku sipas aktakuzës, i akuzuari Stavileci edhe pse ka pasur për detyrë, nuk e ka konstatuar se autorizimi bartës, nuk është në emër të M.T, siç është cekur në atë, por në emër të M.D dhe bazuar në këtë fakt, M.K nuk ka pasur autorizim nga ana e M.T për shitjen e patundshmërisë e as për realizimin e trashëgimisë dhe përkundër kësaj i pandehuri Bashkim e përpilon dhe e noterizon kontratën e cekur, për shitblerjen e patundshmërisë edhe pse në rastin e noterizimit të kontratës autorizimi bartës ka qenë në emër të M.D, e jo në emër të M.T siç e kishte cekur i akuzuari në kontratën e shitblerjes dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit-blerësit L.B në shumë prej 90 mijë euro.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës po autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal. 

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

 Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter