Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, është mbajtur sot seanca e fundit lidhur me tre zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës, në rastin ku Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në seancën e sotme ishte paraparë dhënia e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë dhe për të njëjtën palët ishin dakorduar që ta japin në formë të shkruar. Megjithatë në pika të shkurtra e elaboruan duke filluar nga Prokurori i Shtetit, Bekim Kodraliu, e që më pas ka vazhduar në përfaqësuesin e palëve të dëmtuara. Ky i fundit ka shprehur që ka mbështetur fjalën përfundimtare të Prokurorit të Shtetit dhe gjithashtu ka deklaruar që lidhur me këtë rast ka paraqitur kërkesën pasurore – juridike për kompensimin e dëmit. I njëjti në fund ka kërkuar që konform KPPRK-së, veprimet e kundërligjshme të kryera nga ana e të akuzuarve, të anulohen.
Më tej, në dhënien e fjalës përfundimtare kanë vazhduar edhe tre mbrojtësit e të akuzuarve. Mbrojtësi i Jakup Ternavës, në elaborimin e tij ka shprehur që pafajësia e të mbrojturit të tij është dokumentuar përmes deklaratës së të akuzuarës Liridona Mustafa-Sadiku në seancën e fundit ku kishte shprehur që Jakup Ternava nuk ka pasur qasje në sistem, dhe gjithashtu mbrojtësi i tij ka shtuar që i njëjti është Kimist dhe as nuk e kupton se cfarë do të thotë ‘Masa e Sigurisë’.
Në dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e mbrojtëses së të akuzuarit Ejup Gërguri, e njëjta përvec deklarimeve të dhëna në formë të shkruara, ka shtuar para gjykatës që të mbrojturit të tij i është mohuar e drejta e mbrojtjes. Për këtë deklaratë të fundit, kryetarja e trupit gjykues, Gjyqtarja Medie Bytyqi kërkoi sqarime, ku edhe më pas Avokatja Lule Bilalli-Ymeri ka shprehur që të akuzuarit/të mbrojturit të saj, Ejup Gërguri, gjatë procedurës paraprake si dhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor (deri në shqyrtimin kryesor), shteti nuk i ka siguruar mbrojtje, dhe i akuzuari është person laik dhe nuk ka pasur mundësi të paraqes kundërshtimet e tij.
E njëjta në vazhdimin e dhënies së sqarimit të kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues lidhur me deklaratën e lartpërmendur ka vazhduar duke sqaruar se i akuzuari i saj nuk e ka parashtru këtë kërkesë për mbrojtje, megjithatë deri në fazën e shqyrtimit kryesor, kur edhe Avokatja e kishte marr rastin, i akuzuari Ejup Gërguri nuk kishte pasur mbrojtës. Anëtari i trupit gjykues, Gëzim Ademi e lajmëroi avokaten për ndryshimin e ligjit gjatë kohës së zhvillimit të procedurës mbi këtë rast, e që rikujtojmë këtu se aktakuza daton nga viti 2019.
Pas deklarimit të të gjitha palëve mbi fjalën përfundimtare, shqyrtimi gjyqësor në këtë rast penal ka përfunduar. Shpallja e Aktgjykimit është paraparë të mbahet më datë 5 Prill, në ora 14:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masë të sigurisë.
Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.
Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku po ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli