Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj ish zyrtarëve policor Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi.
Ish policët Osmani dhe Menxhiqi akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”. Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit M.M.
Fillimisht, dëshmitari theksoi se qëndron pranë deklaratave të dhëna në Prokurori dhe Polici. Lidhur me përfshirjen e të akuzuarit Lavdim Osmani, në cilësin e Policit në ndonjë proces në të cilin dëshmitari kishte qenë i dyshuar, dëshmitari theksoi se i kujtohet në një rast.
Tutje, dëshmitari shtoi se në rastin konkret ishte marrë në pyetje nga një zyrtarë policor pastaj, gjatë dhënies së dëshmisë së tij kishte marrë pjesë edhe zyrtari policor Lavdim Osmani.
Kurse, sa i përket dakordimeve me të akuzuarin Lavdim Osmani, dëshmitari theksoi se nga takimet me të njejtin ishte njoftuar se ka një rast të hapur dhe i ishte premtuar se rasti do t’i mbyllej dhe nuk do të shkonte asnjëherë në polici.
Tutje, lidhur me pjesëmarrjen e të akuzuarit Lutfi Menxhiqi përgjatë marrjes në pyetje tek rasti i cili u potencua më lartë, dëshmitari theksoi se ky zyrtar nuk ishte pjesë. Gjithashtu, dëshmitari shtoi se të akuzuarit Lutfi Menxhiqi personalishtë nuk i kishte dhënë asnjëherë para në formë rysheti.
Ndërsa, sa i përket dhënies së ryshfetit, nga punëtori i tij Driton Berisha, se i njejti kishte potencuar se ju ka dhuruar para tani të akuzuarve Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, dëshmitari theksoi se, parat janë dërguar përmes Dritoro Huruglica dhe ai nuk ka pasur info se për cfarë arsye po dërgoheshin ato para.
Pastaj, prokurori i shtetit Zef Prendrecaj lidhur me provat materiale theksoi se mbetet pranë propozimeve të dhëna në shqyrtimin fillestar.
Mbrojtësi i të akuzuarit Lavdim Osmani, avokat Muhamet Mujaj, lidhur me prova të reja propozoi që në shqyrtimet e radhës të dëgjohen disa dëshmitarë, nga të cilët do të sqarohen dilemat dhe do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, propozim i cili u refuzua nga trupi gjykues me arsyetim se të njejtit nuk janë dëshmitarë relevantë në këtë cështje penale.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Menxhiqi, avokat Skender Musa shtoi se nuk ka propozim për prova të reja.
Në rrethanat e krijuara, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Sulltane Hoti, theksoi se pasi të akuzuarit nuk janë gati për të paraqitur mbrojtjen e tyre seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe mbrojtja e të akuzuarve do të paraqitet në seancën e radhës. Seanca e radhës do të mbahet me datë: 21 maj nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë pranuar ryshfet në këmbim që të mos ndërmarrin veprime për luftimin e lojrave të fatit.
Tutje, në këtë aktakuzë thuhet se takimin e kishte organizuar i akuzuar Menxhiqi, i cili i kishte kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.B dhe D.H, në kafenen “Central”, ku më pas i akuzuari Osmani ka pranuar shumën prej 3 mijë euro nga D.B, me qëllim që të mos pengojë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Kjo shumë e parave, nga të akuzuarit ishte ndarë në dy pjesë, ku secili nga të akuzuarit kanë marrë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro nga kjo shumë ja kanë dërguar kolegut të tyre F.Z, për arsyeje të një rasti tragjik që i kishte ndodhur këtij të fundit.
Me këto veprime, të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari Lutfi Menxhiqi akuzohet edhe për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha